Atentati në Memaliaj, gjendet makina e autorëve dhe tre armë zjarri, blindohet aksi Levan-Tepelenë
Kanë kaluar disa orë nga atentati që shkaktoi 3 viktima dhe 1 të plagosur në Memaliaj. Policia vijon kërkimet për kapjen e autorëve të ngjarjes. Më konkretisht policia ka ngritur postoblloqe dhe po ushtron kontrolle në aksin Levan-Tepelenë, ku dyshohet se mund të ketë gjurmë të atentatorëve.
Pas atentatit në zonën e Mallakastrës policia gjeti duke u djegur një automjet tip BMW, i cili dyshohet se u përdor nga autorët e krimit në vrasjen e 3-fishtë, objektiv i së cilës ishin Shyqyri Kalemi dhe vëllai i tij, Artur Kalemi.
Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Ndërkohë në atentatin e mesnatës së të shtunës humbën jetën Shyqyri Kalemi, Marsel Çela dhe Bledar Muka, ndërsa i plagosur ka mbetur Artur Kalemi.
Në automjetin e djegur janë gjetur armë zjarri që dyshohet se janë përdorur nga autorët. Armët pritet ti nënshtrohen analizave për të faktuar nëse janë përdorur ose jo në atentatin që shkaktoi 3 viktima dhe nëse ka gjurmë daktiloskopike të autorëve, që më pas mund të çojnë në identifikimin e vrasësve.
Viktima Shyqyri Kalemi ishte ulur në një tavolinë me vëllain e tij, Artur Kalemi, kur është qëlluar me breshëri. Si pasojë e të shtënave kanë humbur jetën edhe dy personat e tjerë.