“I forti” i Fierit, Renato Çami, në hetim. SPAK: Po e hetojmë në dosje të ndarë Salin, nipin dhe Tavanxhiun
Renato Sali alias “Renato Çami”, i konsideruar si një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Fier, është në hetim nga SPAK, në një dosje voluminoze të ndarë me Nr.75/2.
Një fakt të tillë e ka konfirmuar drejtuesi i SPAK Altin Dumani,i cili gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, theksoi se Renato Sali, po hetohet në një proçedim penal të ndarë me dosjen e personave që janë dërguar në gjykim.
Veç emrit të Renato Saliu, në hetim janë Viron Tavanxhiu, dhe një shtetas me emrin Tarjon, nga qyteti i Fierit që rezulton të jetë nipi i Renato Saliut.
Të gjithë këta personazhe, janë përmendur nga dëshmia e bashkëpuntorit të SPAK, Skerdi Tasi, sipas të cilit kanë paguar para dhe apartamente në këmbim të vrasjes me armë të Agim Boriçit dhe Ilir Boriçit, ngjarje e ndodhur në Prill 2018.
Njëherësh emri i Renato Sali, është përmendur dhe nga dëshmia e Agim Boriçit, i cili ka dyshuar se sulmin me armë në lokalin e tij në Fier, dyshonte se e kishte organizuar dhe financuar Renato Sali.
Nga ana tjetër dhe Nuredin Dumani, bashkëpuntori i SPAK gjatë një ballafaqimi në muajin Mars 2023, mes bashkëpuntorit të SPAK, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, Dumani përmend Renato Çamin, si person që kërkonte jo vetëm eleminimin e Dokles por dhe të mikut të tij, Arben Isufaj alias “Ben Qimja”.
”…kam diçka për të shtuar që se kam thënë më përpara. Doja të flisja për një çështje që nuk është diskutuar fare më parë. Teksa flisja një ditë me Henrik Hoxhaj, më ka dërguar në aplikacionin “Matrix” fotografi me screnshoot të bisedave që Henrik Hoxhaj, fliste me një person që quhet Renato Çami, i cili interesohej në lidhje me vrasjen e “Ben Qimes” dhe Endrit Dokles. Personi jepte 1 milion e 200 mijë euro për vrasjen e këtyre dy personave…”-ka treguar i penduari Nuredin Dumani.
Por ky rrëfim i Dumanit, gjatë ballafaqimit në ambjentet e SPAK, nuk është mbështetur dhe konfirmuar nga Henrik Hoxhaj, i cili ka shtuar se:
”…unë nuk e pranoj këtë që sapo tha Nuredin Dumani. Unë nuk kam biseduar asnjëherë me të, për këto emra që n’flet…”.
Rrëfim i marë përmes procedurës së ballafaqimit mësohet të jetë filmuar dhe rregjistruar në audio, duke u administruar si pjesë e fashikullit gjyqësor.
Tashmë SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit së bashku me policinë Kriminale,janë duke kryer veprime hetimore për të mësuar më shumë rreth rolit të Renato Saliut në këto ngjarje kriminal.