Hyn në fuqi vendimi për ndërtimet pa leje/ Ndërtuesi mund t'ia japë shtetit me 1 euro

Publikohet në fletoren zyrtare procedura dhe rregullat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi.

Në këtë rregullore thuhet se ndërtuesi pa leje ia jep shtetit me 1 euro “Përpara fillimit të procedurës së konfiskimit, të parashikuar në pikën 6, të këtij vendimi, dhe deri në marrjen e vendimit të konfiskimit nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit, zhvilluesi apo çdo subjekt i autorizuar prej tij, me akt noterial kalon në favor të shtetit, me kontratë premtim shitjeje me vlerë 1 euro, shprehimisht ministrisë përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore të drejtën e pronës të sipërfaqeve të ndërtuara pa leje ose në tejkalim të lejes së ndërtimit, me qëllim përdorimin e tyre për nevoja të strehimit social apo për interes publik.  

Ndërtimet e konfiskuara sipas këtij vendimi mund t’i transferohen me të drejtë parablerjeje subjektit zhvillues të objektit apo çdo subjekti të autorizuar prej tij, për një vlerë jo më të vogël se  çmimi i tregut, dhe fondet e siguruara përdoren për shpronësim, trajtim të posaçëm apo kompensime me qëllim realizimin e punëve publike.

Nga momenti i kryerjes se aktit të konstatimit të paligjshmërisë në ndërtim deri në përfundim të procedurës së konfiskimit, punimet pezullohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2, të këtij vendimi.

Kur nis konfiskimi

 Procedura e konfiskimit për interes publik sipas këtij vendimi fillon me propozimin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranë Këshillit Kombëtar të Territorit, në vijim të inspektimeve periodike të kryera kryesisht apo pas marrjes së njoftimit nga IMT-ja vendore sipas fushës së përgjegjësisë, në përputhje me legjislacionin sektorial për inspektimin

 Ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore, brenda 7 (shtatë) ditëve nga njoftimi i vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, nxjerr urdhrin për zbatimin e tij.

Nëse subjekti shpreh interesin për të parablerë punimet pa leje, ministri përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore kryen procedurën e parablerjes dhe bën derdhjen e fondit përkatës në llogarinë e të ardhurave të thesarit në degë me destinacion llogarinë speciale të shpronësimeve pranë Bankës së Shqipërisë.

 Autoriteti përgjegjës për ndjekjen e procedurës së konfiskimit të objektit, sipas përcaktimeve të pikës 11, brenda 7 (shtatë) ditëve nga nxjerrja e urdhrit të ministrit përgjegjës për administrimin e pronave shtetërore, i njofton masën e konfiskimit të objektit personave apo subjekteve që preken nga masa.

 Gjatë konfiskimit të objektit, autoriteti përgjegjës për ndjekjen e procedurës së konfiskimit të objektit mban një akt konfiskimi, në të cilin përcaktohen qartë: a) të dhënat për subjektin që i kryhet konfiskimi;

b) vendndodhjen e objektit të konfiskuar; c) sipërfaqen e objektit të konfiskuar;

ç) pamjen e brendshme dhe të jashtme të objektit të konfiskuar;

d) detaje të objektit (numrin e mureve, të dritareve etj.);

dh) detaje të punimeve të objektit;

e) çdo të dhënë tjetër që është karakteristikë apo e veçantë për objektin e konfiskuar.

 Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron që të reflektojë në certifikatën e pronësisë pronësinë

e zhvilluesit dhe pronësinë e shtetit mbi pronën e konfiskuar, sipas pjesëve takuese përkatëse, pasi të jetë lëshuar certifikata e përdorimit nga sekretariati teknik i KKT-së apo njësia e qeverisjes vendore sipas fushës së përgjegjësisë në përputhje me legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Certifikata e përdorimit, si për pjesën e objektit konform lejes, ashtu edhe për pjesën e konfiskuar me vendim të KKT-së, do të lëshohet konform legjislacionit për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.

16. Të gjitha të ardhurat e përftuara nga përdorimi i objekteve të konfiskuara, të ndryshme nga ato të parashikuara në pikën 12, të këtij vendimi, kalojnë në buxhetin e shtetit. Shpenzimet për administrimin e objekteve të konfiskuara përballohen nga buxheti i shtetit.  Ministria përgjegjëse për administrimin e pronave shtetërore, brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, krijon dhe administron një regjistër të veçantë për regjistrimin dhe inventarizimin e objekteve të konfiskuara me çdo të dhënë të tyre.

EMISIONET