Hetuesit e BKH-së u sulmuan nga të afërmit e Agron Kapllanajt, Policia del me njoftim zyrtar: Ja si ndodhi
Debate të ashpra kanë ndodhur mbrëmjen e sotme në Fier, ku agjentë të BKH kanë ndaluar e më pas e kanë hipur në një makinë një të afërm të Agron Kapllanit, ish kryebashkiakut të Ballshit dhe themelues i partisë Djathtas 1912, me drejtues Enkelejd Alibeaj.
Mediat raportuan se vëllai i Agron Kapllanajt, Beso Kapllanaj që është dhe president i ekipit të futbollit Bylis në Ballsh, ka refuzuar të hipë në makinë, por më pas është bindur.
Debati me tyre është ndjekur nga disa qytetarë kalimtarë të rastësishëm.
Gjithashtu për ngjarjen ka reaguar dhe policia e Fierit.
Fier/Informacion paraprak
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, së bashku me hetuesit e BKH-së pasditen e sotme kanë qenë me shërbim në qarkun e Fierit.
Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier - Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme.
Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.