Gjyqi me Veliaj spostohet në tetor, avokati i Bashës: Kërkojmë shpalljen e tij fajtor për shpifje

Gjykata ka shtyrë seancën e dytë të procesit mes Lulzim Bashës dhe Erion Veliajt për shkak se ky i fundit nuk u paraqit para togave të zeza. Avokati i kreut të PD-së tha se tashmë Gjykata e posaçme e ka hapur procesin ku do të kërkohet dënimi I kryebashkiakut të Tiranës për shpifje ndaj kreut të opozitës. Seanca e fundit është ndjekur edhe nga një prokurore e SPAK.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk është paraqitur në gjykatë në seancën e dytë në procesin e hapur ndaj tij pas padisë për shpifje nga Lulzim Basha.

Avokati i kreut të PD-së, Endrit Sefa, tha se avokatët e Veliajt munguan për arsye shëndetësore dhe familjare ndërsa për procesin kishte marrë dijeni edhe vetë kryebashkiaku i Tiranës.

"I akuzuari kishte marrë dijeni rregullisht në lidhje me procesin gjyqësor. Avokatët kishin bërë kërkesë për shtyrje për pamundësi pasi njëri ishte i sëmurë dhe kishte paraqitur raport mjekësor ndërsa avokati tjetër për arsye familjare nuk ndodhej në Republikën e Shqipërisë. Veliaj kishte marrë dijeni rregullisht, kishte preferuar sot të mos paraqitej në seancë gjyqësore.Kemi kaluar në seancë gjyqësore, ishte e pranishme dhe SPAK me anë të prokurores Manjola Kajana. Seanca nuk u zhvilluar për arsye të mungesës së avokatëve".

Një seancë më parë, në gjykatë u paraqit edhe kryetari i PD Lulzim Basha, i cili refuzoi pajtimin, ndërsa pas nisjes së procesit gjyqësor, avokati tha se Veliajt do ti kërkohen prova për deklaratat që ka bërë publikisht, në të kundërt, rrezikon të dënohet.

"Kërkojmë shpalljen fajtor për veprën penale të shpifjes të akuzuarit Erion Veliaj pasi ka bërë disa deklarime të cilat nuk qëndrojnë dhe nuk përputhen me asnjë rrethanë të faktit. Është vetë koshient përsa kohë që duhet të vijë në gjykatë dhe të paraqesë provat ku i ka mbështetur këto deklarime.Vepra penale është e qartë. Në momentin që nuk ka prova për të mbështetur këto deklarime do të jetë në vendimmarrjen e gjykatës".

Avokati tha më tej se i padituri Veliaj nuk ka dhënë asnjë argument për mosparaqitjen e tij në gjykatë.

Gjykata e Posaçme e ka kaluar çështjen në shqyrtim ndërkohë që seanca gjyqësore është ndjekur edhe nga prokurorja e SPAK, Manjola Kajana, e cila mund të fillojë hetimet nëse konstaton shkelje penale.

Seanca e radhës është shtyrë për në datën 11 tetor ndërkohë që Basha ka kërkuar dënimin e Erion Veliajt, duke i cilësuar shpifje deklaratat e tij.

Objekt i çështjes janë deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës në tetor të vitit 2020, ku ka pretenduar se në kohën e tërmetit të vitit 2019 kreu i PD është bërë me 4 vila si dhe ka kryer një ndërtim pa leje në pallatin ku banon në Tiranë.

EMISIONET