Gjykata mban peng Rtv Ora dhe Ora News, avokatët kërkojnë përjashtimin e gjyqtares: Mbajti qëndrim

Gjykata e Posaçme ka refuzuar kërkesën e avokatëve për tejkalimin e afateve të mbajtjes në sekuestro të televizioneve Ora dhe Ora News. Avokatët thanë se vendimi vjen në shkelje të hapur të ligjit dhe për rrjedhojë, ata kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares nga kjo çështje pasi verdikti i saj është shprehje edhe për thelbin e procesit. Nga ana tjetër përballja në gjykatë vazhdoi me aktin e ekspertimit që ka njohur si të ligjshme burimin e pasurive të Ylli Ndroqit.

Gjykata e Posaçme nuk ka pranuar të zbatojë ligjin sa i përket afateve për shqyrtimin e dosjes përmes së cilës prej dy vitesh mbahen nën sekuestro televizionet Ora dhe Ora News.

Edhe pse prej një periudhë të gjatë Ylli Ndroqi ka kërkuar që procesi të përshpejtohet për të dalë e vërteta deri në fund,  zvarritjet e krijuara bënë që në qershor të skadonte çdo e drejtë për të marrë një vendim.

Pavarësisht kësaj, debati gjyqësor vijoi deri në shtator duke krijuar mundësi që çështja të hyjë në një situatë të paqartë ligjore për shkak të skadimit të afatit të sekuestros dhe të shqyrtimit të kërkesës për konfiskim.

Pa pritur dhe pa argument, gjykata vendosi të mos pranojë kërkesën e avokatëve.

Daci: Nuk është se prisnim ndonjë ndryshim në qasje.Gjykata nuk pranoi kërkesat tona dhe pse ne jemi të bindur se ato janë të bazuara në ligj. Ne kemi proceduar dhe me kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit.

Por ajo që vlen të theksojmë është se nëse ne i referohemi pretendimeve fillestare të prokurorisë tani me aktin e ekspertimit që sot nga prokuroria u pranua pa vërejtje, pretendimi për bilance negative 3 milion euro është shndërruar në zero sepse ne dalim me bilanc pozitiv në dy variantet e aktekspertimit që merr formë përfundimtare në seancat e ardhshme.

Në seancë avokatët pavarësisht kësaj situate kanë vijuar me përballjen me provat, duke rrëzuar pretendimet e prokurorëve, ndërsa për mediet u shprehën se refuzimi i gjykatës për të zbatuar ligjin lidhur me afatet do të ankimohet në Apel.

Muçi: Padiskutim të dy vendimet. Vendimi i masës së sekuestros do apelohet në mënyrë të veçantë pasi e parashikon ligji. Vendimi i pushimit të gjykimit bashkë me vendimin përfundimtar do apelohen. Por për tu theksuar është fakti se nuk jemi në shinat e ligjit por kemi dalë arave dhe gjykojmë sipas vlerësimit të secilit.

Shtyrjet e procesit jashtë çdo afati ligjor tashmë kanë sjellë probleme të shtuara sa i përket funksionimit të televizioneve, madje duke krijuar edhe rrezikun e vetëcensurimit të gazetarëve.

Këto veprime jo normale vijnë në një kohë kur raportet ndërkombëtare janë më shumë se të rënduara për lirinë e shtypit dhe të medias në Shqipëri.

EMISIONET