Apeli lë në burg Lefter Kokën, avokatët: S'jemi njohur me vendimin, por do bëjmë rekurs
Gjykata e apelit të posaçëm la në fuqi masën e arrestit me burg ndaj ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka për akuzën e re që lidhet me abuzimet me incineratorin e Fierit. Avokatët thanë se togat e zeza nuk i kanë publikuar ende argumentet e tyre, por paralajmëruan se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Apelit të Posaçëm refuzoi për herë të dytë lirimin nga qelia të ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg.
Avokatët e ish-ministrit, paralajmëruan se do të bëjnë rekurs në gjykatën e lartë, pasi sipas tyre, nuk mund të aplikohen dy masa për të njëjtin fakt penal
Pas arrestimit më 14 dhjetor 2021, gjykata e shkallës së parë dhe apeli lanë në burg ish-ministrin e akuzuar për çështjen e incineratorit të Elbasanit.
Avokatët e kokës kërkuan rrëzimin e masave për këtë episod të akuzës por kërkesat e tyre u refuzuan deri në gjykatën e lartë.
Ndërkohë pas ngritjes së akuzës së re për incineratorin e Fierit, SPAK kërkoi masë të re ndaj ish-ministrit të mjedisit.
Kjo masë e cila u la në fuqi nga gjykata e apelit, tashmë pritet të shqyrtohet në gjykatën e lartë ku prokuroria dhe avokatët do të kenë përballjen e radhës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ngritur ndaj Lefter Kokës akuzat “shpërdorim të detyrës”, në bashkëpunim, “korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , në bashkëpunim.