Gjermanët kundër amnistisë fiskale/ PD: Qeveria të tërhiqet, nisma u shërben 'çunave problematikë'

Shoqata gjermane e Tregtisë dhe Industrisë vlerëson se paketa e qeverisë 'Rama' për amnistinë fiskale ka efekte negative. 

Biznesi gjerman shpreh shqetësimin për këtë propozim të qeverisë dhe thekson se këshillat e tyre nuk janë marrë parasysh. 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Akil Kraja, në një deklaratë për mediat, i kërkoi qeverisë të tërhiqet nga një projekt piratësh, siç e cilësoi ai, i cili u shërben 'çunave problematikë', por jo mijëra bizneseve shqiptare që punojnë 'në të bardhë' dhe as ekonomisë shqiptare. 

Deklarata 

Partia Demokratike përshëndet qëndrimin e Shoqatës gjermane të Tregtisë dhe Industrisë kundër amnistisë fiskale.
 
Sipas kësaj organizate “aprovimi i këtij ligji të vetëm do të realizonte disa të ardhura të shpejta në buxhetin e shtetit në terma afatshkurtër. Në terma afatgjata, do të sillte efekte negative, si nxitja e bizneseve formale për të kaluar në informalitet, me shpresën e një amnistie të dytë fiskale”. 
 
Shoqata gjermane thekson me kritikë edhe nenin 16 të projektligjit për “Tatimin e posaçëm”. Sipas DIHA një tatim i ulët prej 5, 7 dhe 10 përqind, për formalizimin e parave dhe asseteve të pa deklaruara, është i pa drejtë kundrejt bizneseve që kanë paguar detyrimet në kohë dhe me një përqindje shumë herë më të lartë.
 
Veç kësaj, thuhet në reagim, kjo masë do të nxisë informalitetin në të ardhmen.
 
Shoqata Gjermane e Tregtisë dhe Industrisë shton se këto pikëpamje të kundërta janë parashtruar edhe gjatë konsultimeve për projektligjin të prezantuar në vitin 2020, por nuk janë reflektuar në variantin e ripunuar.
 
Ju kujtojmë se edhe Komisioni Europian ka shprehur shqetësime serioze për draftin e paraqitur nga qeveria “Rama” për amnistinë fiskale dhe e konsideron atë një rrezik thelbësor për reputacionin e Shqipërisë.
 
Po ashtu Dhoma Amerikane e Tregtisë, foli për “shqetësime serioze” mbi projektligjin për amnistinë fiskale.
 
Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të tërhiqet nga një tjetër projekt piratësh i cili u shërben ‘çunave problematikë’, por jo mijëra bizneseve shqiptare që punojnë ‘në të bardhë’ dhe as ekonomisë kombëtare.

EMISIONET