Funksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni, pengesë për integrimin Evropian

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, në një intervistë për Ora News, është shprehur se, funksionimi i shtetit ligjor dhe korrupsioni kanë penalizuar Shqipërinë për të bërë një hap para drejt procesit të integrimit në BE.

Xhepa thekson se Shqipëria në vitet ’90, ishte piketuar si një nga vendet e para që mund të anëtarësohej në  BE, por që zhvillimet politikë që ndodhën më vonë në Shqipëri, sipas tij ndryshuan tërë kontekstin e procesit.

“Historia e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një kapitull zhgënjyes, i cili pati disa momente mjaft pozitive, në mesin e viteve ’90 kur Shqipëria ishte piketuar si një nga vendet e para  që mund të anëtarësohej në BE, sepse ka pasur disa hapa mjaft të rëndësishëm në atë periudhë, por që zhvillimet e mëvonshme politike të brendshme në Shqipëri e ndryshuan të gjithë kontekstin e këtij procesi.

 Kemi ngjarjet e vitit ’97 e në vazhdimësi, të cilat krijuan një perspektivë tjetër në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Ka pasur disa marrëveshje, por projekti madhor i shqiptarëve që është integrimi me të drejtat e plota në BE, ka ngelur mjaft larg. Shpeshherë është diktuar nga paaftësia e politikës së brendshme, për të dhënë reforma  në qeverisjen e vendit, funksionimin e shtetit, në dimensione të tjera të reformave. 

Shqipëria nuk ka qenë një vend që ka pasur probleme. Kohët e fundit në shumë projekte Shqipëria ka ndjekur jo rregullat që parashikojnë prokuroritë publike të BE, por disa praktika jo të rregullta dhe korrekte. Në tërësinë e vet kanë qenë problem që lidhen me funksionimin e shtetit ligjor dhe me korrupsionin, me shtetin e  së drejtës që e kanë penalizuar Shqipërinë, por këto janë çështje të brendshme. Sidoqoftë në momentin aktual dhe gjeopolitika luan rol në zhvillimet e brendshme politike, që nisën që nga viti 2008. Edhe nacionalizmat e vjetër akoma nuk kanë vdekur akoma në kontinentin tonë. Pavarësisht se faktori i brendshëm politik është faktori kryesor, përsëri mendoj se edhe konteksti  i zhvillimeve brenda Evropës po luan një rol kryesor.”

Impakti ekonomik që ka procesi i “Berlinit”

Për Xhepën, procesi i Berlinit që është një proces shumë më i fortë sepse përfshin krijimin e një zone ekonomike të përbashkët, që është e mbështetur nga BE. Ai shton se vendet në rajon nuk po e mbështesin axhendën e Berlinit, por po ngrenë barriera.

“Në raport me integrimin evropian ka pasur një perspektivë shumë më të qartë dhe shumë më solide e cila buron që nga viti 2000, ka nisur që në atë periudhë një sërë marrëveshjes të tregtisë së lirë, dhe që për shkak se Kroacia dhe vende të tjera ju bashkuan BE, vendet ju bashkuan nismës së Ceftës, dhe aderuan në marrëveshjen e tregtisë së lirë të vendeve të Evropës Qendrore Lindore.

 Kemi procesin e Berlinit që është një proces shumë më i fortë i marrëveshjes së Ceftës sepse kjo përfshin krijimin e një zone ekonomike të përbashkët dhe ka pasur disa iniciativa të përbashkëta, i cili vendosi disa objektiva ambiciozë politik të mbështetura nga BE. Konteksti i marrëveshjes i “Ballkan I Hapur” mendoj se del si një kundërvënie, sepse kemi vetëm gjysmën e rajonit që merr pjesë,  pra janë vetëm 3 vende. Kemi disa procese paralele që në vend ta ndihmojnë axhendën e Berlinit, kanë filluar që ta shkatërrojnë sepse mos pjesëmarrja e rajoneve ngre barriera të reja.”

Intervistoi Anila Zyberaj, përgatiti për online Anila Kolgjini.

EMISIONET