FOTO/ Sherri për prona degradon në përdorim armësh, arrestohet 42-vjeçari në Librazhd
Një 42-vjeçar është arrestuar në fshatin Gizavesht, Librazhdi, pas një konflikti me fqinjin e tij për motive pronësie, ku ai qëlloi me armë gjahu në ajër për ta kanosur.
Menjëherë pas njoftimit, policia ndërhyri dhe parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale, duke e kapur në flagrancë dhe arrestuar shtetasin S. Xh. Po ashtu, u sekuestruan arma e gjahut dhe municioni luftarak që ai mbante pa leje.
Sipas hetimeve, nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar.
Njoftimi i Policisë:
Qëlloi me armë gjahu, në ajër, gjatë një konflikti me fqinjin e tij, për motive pronësie, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë, parandalon ngjarjen e mundshme kriminale dhe çon në pranga 42-vjeçarin.
Sekuestrohen arma e gjahut me të cilën qëlloi 42-vjeçari dhe municion luftarak.
Menjëherë pas njoftimit se në fshatin Gizavesht, një shtetas kishte qëlluar me armë gjahu, në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi S. Xh., 42 vjeç.
Ky shtetas dyshohet se gjatë një konflikti për motive pronësie, me fqinjin e tij, shtetasin H. Xh., 80 vjeç, në fshatin Gizavesht, ka qëlluar me armë gjahu, në ajër, për ta kanosur atë.
Nga të shtënat nuk ka patur shtetas të dëmtuar.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut dhe një sasi municioni luftarak, që posedoheshin pa leje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.