"Fitorja e PD-se nis nga Tirana, marrim mbi 70 mandate" Vokshi denoncon edhe mesazhin e shpërndarë nga shtabet PS





Kandidatja për deputete e PD-së Albana Vokshi është e bindur se nga Tirana do të nisë fitorja e Partisë demokratike.

”Tirana do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve. Do të marrim më shumë se gjysmën e mandateve. Nga 36 mandate në Tiranë do të marrim më shumë se gjysmën e mandateve. Fitorja nis nga Tirana dhe do të përhapet në të gjithë Shqipërinë” thotë Albana Vokshi e ftuar në “Ditë e Re” sot në RTV Ora.

Po ku mbështet këtë bindje?

“Veç sondazheve jam në terren. Çdo kush do ndryshimin, sepse për 8 vite nuk është bërë asgjë. Janë larguar 180 mijë të rinj. Ndryshimi është domosdoshmëri. ”

Vokshi vlerëson Bashën si një lider me profesionalizëm dhe aftësi për të udhëhequr në mënyrën më të mirë të vendit.

“Njerëzit nuk nxirren me zor në rrugë por kanë dëshirë të presin Lulzim Bashën si kandidat për kryeministër të ardhshëm. Fitorja është e padiskutueshme, do fitojmë më shumë se 70 mandate në koalicion” tha Vokshi.

Denoncon mesazhin e shtabeve socialiste

Mbrojtja e votës është një nga çështjet kryesore dhe Vokshi denoncon mesazhin që u është dhënë mbrëmë shtabeve të PS-së

“Ditët e fundit qëllimisht po hapen mesazhe për incidente. Kjo bëhet për të shkaktuar një klimë presioni dhe shantazhi për të mbajtur votuesit në shtëpi. Madje administratës u është thënë kini kujdes se vota juaj do kontrollohet. U është thënë dhe mbrëmë shtabeve të PS-së që ta përhapin këtë mesazh. Por ta heqin nga mendja. Vota nuk kontrollohet. Secili të votojë I lirë për alternativën që mendon se është më e mirë për familjen e tij” tha Vokshi duke nënvizuar disa herë “Mos ki frikë, vota nuk kontrollohet”  

EMISIONET