Fierakët prej pesë ditësh thithin tymin toksik, PD shkon t'i ndërgjegjësojë pasojat e "mafies së inceneratorëve"

Partia Demokratike shpreh shqetësimin se pas krimit mjedisor të Fierit fshihet një krim korruptiv për të cilin thonë SPAK duhet të veprojë me urgjencë për denoncimin që kanë bërë për “aferën e inceneratorëve”

Demokratët Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Goduzi udhëtuan drejt Fierit për të ndërgjegjësuar qytetarët për pasojat e rënda jo vetëm shëndetësore por dhe për mashtrimin dhe krimin që siç thonë ata po u bëhet banorëve të Fierit.

Sot në ditën e pestë vijon tymi toksik në qiellin e qytetit. 

“Katastrofa mjedisore që familjet fierake po pësojnë është produkt i mafies së inceneratorëve, që në bashkëpunim me Edi Ramën ka zhvatur 26.5 milionë euro nga taksat e shqiptarëve, dhe në këmbim kanë dhënë vetëm këtë tym toksik që po detyron qytetarët të largohen nga shtëpitë e tyre. Të gjithë e mbani mend se si Rama mashtronte se në dhjetor 2020 inceneratori do të ishte gati. Sot inceneratori ka djegur vetëm paratë e qytetarëve, sepse plehrat digjen në qiell të hapur. Pasuron klientët e tij, për të vjedhur me ta zgjedhjet, dhe pasi masakron zgjedhjet, masakron shëndetin, mjedisin dhe ekonomine” tha Alibeaj.

Kush janë pasojat?  

Për disa ditë me radhë janë djegur në ambient të hapur plehrat, në përbërje të të cilave ka element të ndryshëm të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve.

Djegia e mbeturinave plastike në ajër të hapur, dhe ekspozimi për periudhë të shkurtër apo të gjatë, rrit rrezikun për sëmundjet e zemrës, rëndon sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes si astma apo emfizema, shkakton kancer të mushkërive si dhe dëmton sistemin nervor.

Ekspozimi në nivele të larta të ajrit, për periudhe të shkurtër apo te gjate shkakton më shumë impakt të rëndë te personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme dhe në Fier ka shumë qytetarë të cilët vuajnë akoma pasojat shëndetësore të punës në ndërmarrjet e naftës apo prodhimit të pesticideve te ndryshme qe ka patur ky qytetit.

“Kjo situatë e rëndë, jo vetëm do shkaktojë pasoja shëndetësore ndaj qytetarëve, por do të rrisë edhe barrën financiare ndaj xhepit të qytetarëve, njësoj si me Covid-19, për të kryer ekzaminimet laboratorike apo imazherike, si dhe blerjen e barnave për trajtimin e komplikacioneve, për pasojat qe do vijnë” tha Goduzi

PD i bën thirrje qeverisë dhe institucioneve të shëndetit publik, që të fillojnë menjëherë depistimet në terren për të matur nivelin e ndotjes së ajrit, pasojat në shëndetin e qytetarëve, si dhe angazhimin e strukturave shëndetësore për diagnostikimin dhe trajtimin e komplikacioneve përkatëse.

EMISIONET