"Çfarë ndodhi me Vis Martinaj", Rama: E kemi që sot një përgjigje, duhet të presim dhe pak për prova

Policia e di çfarë ka ndodhur me Ervis Martinajn, por për ta deklaruar zyrtarisht duhen prova. Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët dhe gazetarët. Kreu i qeverisë pranoi për herë të parë edhe se i kishte kërkuar dorëheqen ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Policia dhe qeveria duket se e dinë të vërtetën për të kërkuarin Ervis Martinaj, por nuk flasin pa pasur prova.

“Një përgjigje e kemi pak a shumë që sot, por që Policia e Shtetit duhet të flasë me prova dhe shumë shpejt do ta kemi”.

Kjo ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit online pasi u pyet nga gazetarët për fatin e Ervis Martinajt, i cili është denoncuar nga familjarët që prej 8 gushtit.

Rama tha se duhet të bëhet durim, pasi policia ka disa informacione dhe se do t’i publikojë së shpejti pasi përgjigja që do jepet duhet të jetë e provuar.

“Nëse përgjigjja do të ishte aty dhe do të ishte mbajtur e fshehur do të dilte për 9 ditë, por besoj se duhet të keni pak më shumë durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe unë jam besimplotë që do ta kemi shumë shpejt".

Për herë të pare Rama pranoi se i kishte kërkuar dorëheqen ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

"Po, është e vërtetë, i është kërkuar dorëheqja drejtorit të mëparshëm dhe ai ma ka konfirmuar se do ta jepte dorëheqjen”.

Sipas Ramës arsyeja ishin zhvillimet e papranueshme lidhur me rendin publik dhe me vetë Policinë e Shtetit.

Ndërsa sa i takon drejtori i ri të policisë, Rama tha se është shembulli se qeveria sot nuk përdor modelin e ndarjes “të tanët” dhe “të atyre”.

“Nuk jemi një regjim patronazhistësh siç thuhet dhe me këtë rast i përshëndes patronazhistët kudo ku janë se janë zemra e pazëvendësueshme e Partisë Socialiste, por jemi një qeveri e cila vlerëson meritën.”

Kryeministri tha se Rrumbullaku ka mbajtur një nga postet drejtuese më të rëndësishme në Policinë e Shtetit dhe është një nga oficerët me eksperiencën më të gjatë dhe më karrierën më profesionale në Policinë e Shtetit.

EMISIONET