Çfarë dimë deri tani për videon virale nga Himara: Përplasja mes pronares së hotelit dhe familjes pushuese

Historia e përplasjes mes pushuesve dhe pronarëve në zonat bregdetare rikthehet në vëmendje. Në rrjetet sociale qarkullon një video ku një familje pushuese tenton të largohet ndërsa pronarja e hotelit dhe një person tjetër tenton ti ndalojë makinën. (Nuk shihet qartë sa janë në makinë)

Videoja e publikuar në faqen facebook Brryli Broadway shoqërohet me përshkrimin “Mihalët e jugut presin ne lloje lloje menyrash pushuesit vendas. Ose paguaj ne menyren qe do Mihali ose te tmerrojme familjen”. Videoja u bë virale.

Në video duket sesi pronarja e hotelit me ndihmën e një personi tjetër përpiqen të ndalojnë makinën, ndërsa ngva brenda makinës dëgjohet gruaja që i kërkon "Visit"( Kështu e thërret) të largohen. Ndërkohë fëmija në makinë qan.

Pas verifikimeve Ora News mëson se në policinë e Vlorës janë bërë dy denoncime. Një nga pronarja e hotelit e cila pretendon për shkatërrim prone, duke akuzuar familjen pushuese se i ka djegur çarçafët si dhe i ka dëmtuar dhomën dhe ka tentuar të largohej pa bërë pagesën për dëmin.

Nga ana tjetër, familja pushuese ka bërë denoncimin për terror.


Çfarë dimë?

Videoja është regjistruar në Livadhja të Himarës dhe mendohet ngjarja të jetë regjistruar javën e kaluar, ndoshta premte 18 qershor.

Nga sa mësohet nga burimet familja kishte prenotuar për 4 ditë por ditën e dytë është larguar pasi ka qenë e pakënaqur me shërbimet.

Në momentin kur kanë tentuar të largohen duke kërkuar të paguajnë vetëm ditët e qëndrimit pronarja e hotelit ka kërkuar që të bëhet pagesa e plotë për ditët e rezervuara. Këtu duket se ka nisur dhe më pas përplasja.

Pritet që policia të bëjë sqarime në lidhje me këtë denoncim, ndërsa videoja riktheu në vëmendje incidentin mes Mihal Kokëdhimës dhe turistëve spanjollë të cilët po tentonin të largoheshin pasi nuk ishin të kënaqur me shërbimin.
    

EMISIONET