Shella: Për herë të parë në Shqipëri ka të dënuar për shitblerje votash, prokuroritë e rretheve të vihen në veprim

Dy persona ditën e djeshme (1 dhjetor)  janë dënuar me një vit burg pasi akuzohen për korrupsion në zgjedhjet e 25 prillit në Dibër. 

Në një intervistë për Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Drejtuesi i Qendrës për Çështje të Informimit Publik, Gerti Shella, u shpreh se për herë të parë në Shqipëri  kemi të dënuar për shitblerje vote, pasi sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Gerti Shella: Lajmi që dje kaloi pa u trajtuar në mediat shqiptare, ishte se Gjykata Kundër Korrupsionit, për herë të parë dënoi me 12 muaj, dy punonjës të Bashkisë Dibër të cilët u ekspozuan gjatë periudhës zgjedhore

Më 23 Prill ka qenë një video që qarkulloi, ku këta ndodheshin në një makinë nga militant pasi në makinë kishte para dhe karta identiteti. Lajmi është se këtë dënim e ka avancuar si hetim SPAK. Për herë të parë në Shqipëri kemi nga dje të dënuar për shitblerje të votës. Kemi një thyerje të tabusë. Për herë të parë SPAK me kompetencat që mori, në dhjetor të vitit 2020, por edhe Gjykata respektive kundër krimit dhe korrupsionit, ushtrojnë tani funksionin e tyre dhe në fushën e krimeve zgjedhore. Të dhënat janë që shumë çështje për shitblerje vote presin të shqyrtohen. 

Janë 124 kallëzime penale të regjistruar si procedime në prokuroritë e rretheve, vetëm rasti i djeshëm ka marrë një konkluzion, ndërsa pjesa tjetër është ende nën hetim, ose në pritje të dhënave hetimore.

Ai tha se përveç SPAK edhe prokuroritë e rretheve të vihen në veprim, në mënyrë që të hetojnë çështje dhe të dalin në një përfundim të caktuar.

Gerti Shella: Pritet më shumë nga prokuroritë e zakonshme, për të dalë në konkluzione. Çështjet të cilat shkojnë në prokurori duhet të marrin një  konkluzion mbi të gjitha këto çështje që i parashikon kodi penal, si dhe të ketë një komunikim nëse patën sukses apo jo me hetimin e këtyre rasteve.

Do të ishte pozitive që ky sinjal të hapte  rrugën për të vendosur më shumë drejtësi në fushën e krimeve zgjedhore.

EMISIONET