Sulmet kibernetike, Kola: Një hata e madhe! Kjo është qeveri e pacipë përballë një opozite të ezauruar

Sipas raportit të publikuar nga Agjencia për Sigurinë Kibernetike dhe Infrastrukturore (CISA) dhe Byroja Federale e Hetimit, FBI në lidhje me sulmet kibernetike që hakerat iranianë kryen në Shqipëri bëhet me dije se hakerat kanë pasur akses në faqet e qeverisë shqiptare 14 muaj përpara se të nisin sulmin në korrik dhe shfrytëzuan periodikisht përmbajtjen e postës elektronike.

Analisti Vehap Kola në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma thotë se ky fakt është një hata porse në vendin legjitimohet çdo skandal.

Kola: Nuk është vetëm skandal, kjo duhet të ishte hata e madhe. Por këtu nuk kanë më kuptim këto gjëra. Shqipëria nuk është më as demokraci, as sistem elektoral. Nga ana tjetër ka një opozitë të ezauruar, pa asnjë mundësi për të prodhuar alternativë dhe projektuar fuqi politike. Patjetër që ata do ta thellojnë këtë mënyrë abuzimi, këtë kanë bërë në 9 vite.

Teksa pranon paaftësinë, qeveria akuzon opozitën se po e përdor politikisht këtë çështje.

Kola: Kjo është shkolla politike e grupimit që ka pushtetin në Shqipëri, shkollë totalitare që i tregon opozitës kur duhet të bëjë politikë dhe me çfarë duhet të bëjë politikë. Duhet të bësh politikë me jetën personale të politikanëve por nuk duhet të bësh politikë me interesat e shqiptarëve. Kjo është qeveri e pacipë, nuk ka pasur cipë asnjëherë. Ka qenë pafuqia e opozitës dhe bashkëpunimi i shqiptarëve me pushtetin.

Sa i takon hapjes së dosjeve, Kola thotë se kjo duhet bërë një orë e më parë.

Sulmet kibernetike, Kola: Një hata e madhe! Kjo është qeveri e

Kola: Moshapja e dosjeve në këto 30 vite është një turp mbi dhimbjen. Siç u përdor 45 vite bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit për të sunduar shqiptarët, 32 vite të tjera u përdor po prapë për të sunduar shqiptarët nga ajo elitë politike që presupozohet se erdhi në pushtet si kundërshtare e komunizmit. Të hapen dosjet e 45 viteve, të hapen dosjet edhe të këtyre 30 viteve. Kush ka humbur nga njohja e të shkuarës së tij?

Sipas tij, nëse nuk njeh diktaturën nuk shpëton dot prej saj.

Kola: Ne  e kemi përsëritur diktaturën, jemi sot pra. Ora News vazhdon të jetë në sekuestro kundër çdo logjike ligjore. Me vendime gjykate sesi merren nuk e dimë. Pse? Je në diktaturë. Nuk ke nxjerrë mësime nga diktatura, në diktaturë do rrish. Nuk ke dashur të njohësh diktaturën, nuk do shpëtosh prej saj.

Po kush do të dëmtohet më shumë nga hapja e dosjeve?

Kola: Edi Rama nuk e përdor një akt politik për një qëllim, me një gur vret 7 zogj sepse është strateg. Se këta janë minorenë në politikë nuk është faji i tij. Dëmi më i madh do tu bëhet atyre politikanëve që kanë përdorur dosjet për të kontrolluar Shqipërinë, për të mbajtur peng parti poltike, qeveri të caktuara, ministra, dikastere, rajone, segmente të shoqërisë. Ata do të mbeten pa këtë armë, ai do jetë dëmi më i madh për ta. Për shqiptarët asnjë dëm.

EMISIONET