Erjon Xhenje, djali 19 vjeçar viktimë e hakmarrjes?

Bajram Çekorja është aktualisht në krye të listës së personave të kërkuar nga Policia e Shkodrës, pasi dyshohet se është autori i ekzekutimit të 19 vjeçarit Erjon Xhenje, mbrëmjen e 18 Shtatorit. 24 vjeçari që ishte në kërkim policor për një atentat, dyshohet se mori hak për babanë e vrarë më 2 Shtator.

Erjon Xhenje, i ekzekutuar mbrëmjen e 18 Shtatorit në një lokal në Shkodër, besohet se është viktimë e hakmarrjes së Bajram Çekorjes, tashmë i shpallur në kërkim si autor i krimit, për vrasjen e të atit, më 2 Shtator në derë të Shtëpisë në Lagjen Guerrile.

Edhe pse ekzekutorët e Ismet Çekores, zyrtarisht janë të panjohur, dyshimet janë se në krim mund të jenë të përfshirë kushërinjtë me precedentë penalë të 19 vjeçarit Xhenje.

Nëna e të riut, në një reagim publik thotë se lidhja e gjakut ishte fatkeqësia e vetme e të birit student fizioterapie, ndërsa më herët edhe babai tha se konfliktet e nipërve mund të ishin motiv.

“Fatkeqësia e djalit tim ishte se kushërinjtë e tij janë me precedentë penalë. Ky fakt i dha të drejtën dorës kriminale që t’ia marre pa mëshirë jetën djalit tim,” tha Elvira Xhenje, nëna e Erjon Xhenje.

Elvira Xhenje, thotë se familja ndihet e kërcënuar në këtë përplasje mes bandash dhe kërkon mbrojtjen e shtetit dhe drejtësi për jetën e të birit.

Elvira Xhenje:Kërkoj nga shteti drejtësi për djalin tim. Kërkoj gjithashtu që familja ime të merret në mbrojtje pasi ndihemi të pambrojtur.

Të enjten, 22 shtator, policia e Shkodrës, shpalli zyrtarisht në kërkim Bajram Çekorjen si autor të dyshuar të vrasjes së Erjon Xhenje.

Grupi hetimor, thotë se ka arritur në këtë përfundim mbi bazë të provave filmike dhe gjurmëve të gjetura tek arma pistoletë me të cilën u ekzekutua 19 vjecari dhe motori që u përdor për ngjarjen.

Sipas policisë, ai u ndihmua nga të paktën dy persona të tjerë, ende të paidentifikuar.

Bajram Çekorja ndërkohë ishte shpallur në kërkim për atentatin e dështuar ndaj Alban Bruçajt, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 25 Gushtit, për të cilën akuzohet edhe Tornado Fusha.

Më 29 Gusht, Ismet Çekorja, babai i 24-vjeçarit doli në një deklaratë për mediat, duke mohuar përfshirjen e të birit, por 4 ditë më pas u ekzekutua.

Në 9 muaj të 2022, në Shkodër janë shënuar 6 vrasje, autorët e të cilave janë të gjithë të lirë, ndërsa hakmarrja mes grupeve vijon.

Erjon Xhenje, djali 19 vjeçar viktimë e hakmarrjes?
Lokali ku ndodhi ngjarja dhe viktima Erjon Xhenja

EMISIONET