Erisa Fero, me drogë në makinë si iu shmangej patrullave punonjësja e AKSH-it përmes kartave të ministrive
Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore, ku u arrestua me 58 kg drogë specialistja e “E-Albania” dhe “AKSH-it”, Erisa Fero. Procedurat e shkarkimit ndaj kësaj të fundit tashmë, kanë nisur me shpejtësi në AKSH. Por roli i zyrtares shtetërore në grupin kriminal ka qenë mjaft aktiv.
Hetimet e ndjekura nga oficerët e policisë së Korçës dhe prokuroria e Pogradecit, kanë zbuluar se Erisa Fero, kryente rolin e korrieres në këtë grup, pasi drejtonte mjetet ku ndodhej lënda narkotike. Ajo i shmangej patrullave të policisë, duke paraqitur dokumente si punonjëse e ministrive të ndryshme në vend, dhe për pasojë kalonte me lehtësi patrullat e policisë.
Fero mësohet se ka krijuar një raport intim me të arrestuarin Likë Bashën nga Fushë-Kruja, i cili më pas e përdorte për ta transportuar drogën. Lënda narkotike blihej në Shkodër dhe më pas transportohej drejt Tiranës dhe Fushë-Krujës. Prej këtej çohej në zonën e Pogradecit, ku dyshohej se trafikohej në Maqedoni, ku dhe tregtohej.
“Ora News” raportoi ekskluzivisht arrestimin e punonjëses së AKSH-it. Ndërsa mes personave të ndaluar është dhe i dashuri i saj, Likë Basha, dhe një person tjetër i quajtur Endri Karaj.
Të tre këta persona po çonin drogën nga Tirana në Pogradec. Karaj dhe Basha, ndodheshin në një makinë para, ku hapnin rrugën duke kontrolluar për lëvizjet e mundshme të policisë.
Ndërsa pas tyre, lëvizte me një automjet punonjësja e AKSH-it, Erisa Fero, e cila mbante dhe sasinë e lëndës narkotike prej 58 kg hashash.
Vendi i takimit me grupin e Pogradecit, është lënë në zonën e Qafë-Thanës, pikërisht tek kthesa ku ndodhet restorant Kukësi. Qëllimi ishte shkëmbimi i drogës dhe lekëve, në një vend larg vëmendjes së policisë. Por agjentët e policisë i kanë monitoruar nga distanca, duke ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme.
Tre personat Erisa Fero, Lekë Basha dhe Endri Karaj, janë arrestuar dhe bashkë me ta është bllokuar lënda narkotike. Ndërsa dy pritësit e mallit që kishte dërguar grupi i Pogradecit, F.S., 30 vjeç dhe G.S., 28 vjeç, kanë mundur t’i shpëtojnë policisë.
Kontrolle të shumta, janë kryer në dhjetëra banesa me qëllim kapjen e tyre por pa sjellë rezultat.
Në një vëzhgim që “Ora News”, bëri në profilin online Instagram të Erisa Feros, punonjësja e AKSH-it ka foto duke qëlluar me pistoletë në poligone private në Tiranë, apo teksa tymos me puro kubaneze.