Erdogan në Tiranë, Rama: Rastësi që përkoi me vdekjen e Skënderbeut, mos ja nxirrni inatin që keni me mua Turqisë mike

Për Edi Ramën vizita e së hënës e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë ishte rastësi dhe jo provokim për shqiptarët në ditën e përvjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përmes rrjeteve sociale, Rama ka ndarë me ndjekësit e tij prapaskenat dhe batutat me Presidentin. Kryeministri shpjegon veprën e artit që i dhuroi Erdoganit, duke e surprizuar atë me faktin se e ka realizuar vetë atë.

Akuzave se vizita e Presidentit te Turqisë Rexhep Taip Erdogan në vendin tonë ishte një provokim në ditën e përvjetorit të vdekjes së Skënderbeut, kreu i qeverisë Edi Rama iu përgjigj duke e konsideruar rastësi.

Përmes një statusi në Facebook, Kryeministri u shpreh se miqësia mes dy vendeve ka nisur rreth 100 vite më parë kur është firmosur “Marrëveshja e Miqësisë së Përjetshme”.

“Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan më këtë rast plot prej atyre që rendën t'i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja", shkruan Rama në Facebook.

Veç takimeve dhe bisedave formale, kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Erdogan kanë shkëmbyer edhe dhurata mes njëri- tjetrit.

Rama ka shpërndarë në rrejtet sociale prapaskenat dhe batutat mes tij e Presidentit.

Kryeministri shpjegon veprën e artit që i dhuroi Erdoganit, duke e surprizuar atë me faktin se e ka realizuar vetë atë.

"E kam bërë vetë me këto duar, jam artist serioz unë."

Kur vjen puna te arti, Rama vlerëson më shumë bashkëshorten e Erdogan se vetë atë.

"Në shtëpi duhet të shkojë kjo se e kam parë se zonja e kupton më mirë artin tim sesa Presidenti."

"Në shtëpi do shkojë, do ta vendos në vendin më të mirë."

I kujdesshëm tregohet edhe për transportin e dhuratës deri në Turqi, në mënyrë që të mos dëmtohet.

"Nuk e kemi paketuar se është e rrezikshme, por ta marrin dhe ta mbajnë me kujdes."

Por edhe presidenti turk nuk kishte ardhur duarbosh. Simbolika e dhuratës së tij lidhet me artin turk.

"Kjo është punë dore nga sarajet në Stamboll, është prodhimi ynë."

 

Rastësi jo provokim! Reagimi i Ramës në Facebook për vizitën e Erdoganit

Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime "në emër të Skënderbeut"! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre që rendin t'i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me "pushtuesin" nga Ankaraja.

Po çfarë lidhje ka me rrethimet e Krujës dhe me qëndresën e Gjergj Kastriotit, Republika e Turqisë, e cila fill pas formimit të saj ka firmosur me Shqipërinë, 100 vjet më parë, në vitin e largët 1923, "Marrëveshjen e Miqësisë së Përjetshme"?

Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar në më shumë se një rast e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik, falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdoğan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, brenda rrethimit mbytës të Armikut të Padukshëm?

Si mund të lidhen me luftën e pesë e kusur shekujve më parë, punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo një spital të ri ultramodern për njerëzit e këtij vendi?

Nuk e di a e ka ndonjë popull tjetër atë shprehjen, "për inat të s'ime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë". Por dihet me siguri, se përgjatë historisë së tij, ky popull ka parë shumë dyndje shqipesh të inatosura në derën e mullixhiut. Inati ndaj njëri-tjetrit na ka penguar rëndom, ne shqiptarëve, të shohim të mirën e shtëpisë sonë të përbashkët. Kjo e rreshtimit të djeshëm të shumëkujt (që inatin në fakt e ka me qeverinë e me mua), në ushtrinë imagjinare të mbrojtësve të kështjellës sonë nga pushtuesit turq, ishte një ilustrim i radhës për rrugën pa krye ku të shpie "inati ndaj vjehrrës".

Natyrisht këto spazma urrejtjeje sportive, të cilat burojnë nga tifozllëku i sëmurë partiak, mllefi i pangushëllueshëm "intelektual" dhe fatkeqësisht, ndonjëherë edhe nga budallallëku islamofobik, nuk e ndryshojnë as përmbajtjen e miqësisë tradicionale me popullin turk, as kursin e partneritetit strategjik me Republikën e Turqisë.

Dikush ndër të inatosurit e djeshëm denonconte hipokrizinë time. Sipas tij isha vetëdemaskuar nga mikpritja që i rezervova Presidentit Erdoğan në Tiranë, pas mikpritjes që më rezervoi Papa Françesku në Romë. Në fakt jo, ky shembull tregon krejt të kundërtën e hipokrizisë; vërtetësinë dhe thellësinë e marrëdhënieve të posaçme personale për shkak të detyrës.

Këto e të tjera marrëdhënie të këtij niveli, reflektojnë bindjen time se Shqipëria nuk duhet të jetë "më katolike se Papa" në politikën e saj të jashtme, po mund të jetë "trimi i mirë me shokë shumë". Po shokë ama, natyrisht.

EMISIONET