EMRI/ Transportonte emigrantë të paligjshëm nga India e Pakistani, vihet në pranga 24-vjeçari
Policia ka vënë në pranga një 24-vjeçar, i cili me mjetin e tij tip ‘Bez’, po transportonte për në Mal të Zi, 3 emigrantë nga Pakistani dhe India.
Vihet në pranga shtetasi Endri Bregaj.
Të riut, i cili u kap në flagrancë në zonën e quajtur “Bishti i Zhurit” në Rrogozhinë, iu sekuestrua makina me të cilën po transportonte emigrantët.
Njoftimi i policisë:
“Bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të transportimit kundrejt pagesës, të disa emigrantëve që synojnë të kalojnë ilegalisht kufijtë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Illegal”.
Gjatë operacionit u vu në pranga shtetasi E. B., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Në zonën e quajtur “Bishti i Zhurit”, Rrogozhinë, 24-vjeçari u kap në flagrancë duke transportuar me një automjet tip “Benz”, 3 emigrantë nga India dhe Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin me Malin e Zi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit””, njofton policia.