Ekzekutoi dy kushërinjtë për kanabis në 2020, vetëdorëzohet në polici vrasësi Daniel Pepaj
Pas 26 muajsh në kërkim për vrasjen e 2 kushërinjve të tij pas konfliktit për kanabisin e zhdukur, në komisariatin e Malësisë së Madhe është vetëdorëzuar, Daniel Pepaj. Nuk dihet arsyeja përse Pepaj zgjodhi t’i jepte fund arratisë, por tashmë ai do të përballet me drejtësinë për vrasjen e Klement Pepaj dhe Vilson Çutajt.
Vetëdorëzohet në polici pas dy vitesh arrati, Daniel Pepaj, i cili akuzohet se është autor i vrasjes së dy kushërinjve Klement Pepaj dhe Vilson Çutaj, në Malësinë e Madhe pas një konfliti të dyshuar për parcelat me kanabis.
Ngjarja e rëndë u shënua në 3 tetor të vitit 2020 në pyjet e fshatit Vrith, pas të cilës Daniel Pepaj arriti të arratiset.

Pas gjetjes së dy trupave të pajetë, me 8 tetor 2020, u konstatuan se të dy viktimat ishin qëlluar me nga një plumb pas shpine.

Vilsoni është goditur me një plumb në kokë ndërsa Klementi, është qëlluar me një predhë në shpinë.
Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj akuzonin kushëririn e tyre Danjel Pepaj se u kishte vjedhur 50 kg kanabis.
Për këtë arsye, pasditen e 2 tetorit 2020 ata u nisën me makinë drejt Zagorës, pasi 27-vjeçari do t’u tregonte ku ishte fshehur kanabisi i vjedhur.
Por pas 2 orësh, vëllai i Vilsonit, Olsion Çutaj, që po priste në makinë, vendosi të njoftonte policinë sepse nuk kishte më asnjë kontakt me të 3 personat.
Kërkimet për ta morën fund 6 ditë më pas, kur u gjetën edhe trupat e pajetë të Vilson Çutaj dhe Klement Pepajt.
Pas hetimeve, policia verifikoi pistën e konfliktit për kanabisin mes Daniel Pepajt dhe 2 viktimave, duke e shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë.
27-vjeçari i ka shpëtuar kërkimve të bluve për 26 muaj, por këtë të premte (9 tetor 2022) vendosi ti jepte fund arratisë, duke u dorëzuar vetë në polici.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.