Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!

Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, ka komentuar vrasjen në Paskuqan të regjistruar një ditë më parë, ndërsa analizoi zonën e Kamzës sa i takon nivelit të kriminalitetit.
I ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, Softa theksoi se Kamza renditet te zonat me nivel krimi nga mesatarja e lartë. Po ashtu për shkak të pozicionit të zonës, që është porta e Veriut dhe afër me aeroportin, ajo shërben edhe për strehimin e personave me shkallë rrezikshmërie të lartë.
“Ngjarja e Kamzës s’duhet trajtuar si ngjarje e izoluar, por hedh alarmin te një fenomen, që konfliktet e ndryshme përfundojnë me armë dhe prezenca e armëve vijon të jetë shqetësim.
Krimi sot është bërë edhe krim urban. Kamza në raport me Tiranën ka ndryshim sa i përket shkallës së kriminalitetit. Klasifikimi i nivelit të krimit është nga mesatarja e lartë, Tirana e ka të ulët deri të mesëm.
Në Kamëz kanë ndodhur shumë ngjarje, prezenca e grupeve kriminale në zonë. Kamza ka pozicionin që e favorizon, është porta e veriut, është afër me Aeroportin e Rinasit.
Kamza, Fushë Kruja, janë zona ku ka strehime të personave me shkallë të lartë rrezikshmërie. Në dijeninë time Kamza ka investuar prezencën e kamerave në rrugë, por s’ka dhënë ndonjë efekt”, u shpreh Softa.


