Ekskluzive/ Vidhen të dhënat bankare, u gjetën në CD e databazës së pagave

Të dhënat bankare të shtetasve shqiptarë duket se janë kopjuar dhe disponuar nga grupi i personave të akuzuar nga Prokuroria për publikimin e databazës së pagave në fillim të këtij viti. Fakti duket shqetësues edhe pse informacionet në fjalë nuk janë bërë publike pasi një dokument i Komitetit shqiptar të Helsinkit, thotë se në CD-në e sekuestruar njërit prej personave në hetim, janë gjetur një numër i konsiderueshëm dokumentash me të dhëna bankare për klientë të ndryshëm. Për këtë episod nuk ka asnjë të akuzuar nga prokuroria.

Skandali i publikimit të të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë duket se ka rrezikuar edhe të dhënat bankare që kanë të bëjnë direkt me shumat monetare që shtetasit disponojnë në bankat e ndryshme në vend.

Një dokument i Komitetit Shqiptar të Helsinkit në lidhje me skandalin, evidenton faktin se një numër i konsiderueshëm të dhënash bankare të klientëve të ndryshëm janë gjetur në një prej disqeve të sekuestruara nga prokuroria dhe të ekspertuar gjatë hetimeve për publikimin e databazës së pagave.

Pavarësisht se nuk janë bërë ende publike, duket se të dhënat bankare të qytetarëve janë kopjuar dhe kanë qarkulluar tek personat që shitën databazën e pagave apo të targave.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

“Në kuadër të hetimeve penale të Prokurorisë së Tiranës  për databazën e pagave, në hard diskun objekt ekspertimi që i përket një prej të pandehurve, u konstatua edhe një numër i konsiderueshëm dokumentash të tjerë me të dhëna bankare për klientë të ndryshëm”, thuhet në dokumentin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Ky organizëm e sheh shumë shqetësues këtë fakt në drejtim të sigurisë së të dhënave dhe shton se është e paqartë se si janë marrë këto informacione dhe nëse ka patur nga prokuroria referim për hetimin administrativ të subjekteve kontrollues në sektorin bankar apo më gjerë që janë në kontakt me këto të dhëna.

Prokuroria e Tiranës ka kryer hetimet ndaj 2 punonjësve të AKSHI-t Eni Qirjako dhe Andi Agaraj, lidhur me akuzat për ‘’Shpërdorim detyre’’, ‘’Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’’ dhe për 2 të pandehurit e tjerë, Klodian Sota dhe Endri Ikomomi, të punësuar në sektorin privat për veprën penale ‘’Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’’.

Hetimi ka përjashtuar hakerimin duke evidentuar se të dhënat janë marrë nga sistemi prej punonjësve dhe janë transferuar tek personat që i bënë publike. Komiteti Shqiptar i Helsinkit tërheq vëmendjen se SPAK duhet ta kishte hetuar këtë çështje dhe jo të kishte hequr dorë nga dosja duke ia kaluar prokurorisë së Tiranës.

Konkretisht bazuar në Kodin e Procedurës Penale dy prej veprave penale janë në kompetencën lëndore të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në raport evidentohet mosveprimi i organeve të drejtësisë ndaj episodeve të tjera të publikimit të të dhënave si databaza e zgjedhësve apo e targave.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vëren me shqetësim se për databazën e zgjedhësve nuk ka asnjë person që të jetë marrë në cilësinë e të pandehurit pas regjistrimit fillestar të procedimit në Prokurorinë e Posaçme.

Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

EMISIONET