Editorial i Drejt - Politika mes plehrave dhe parave

Nuk është e kotë zgjedhja e Kryeministrit, i cili mblodhi enkas pak ditë më parë kryetarët e bashkive e iu foli për plehrat.

Dike e fshikulloi e dikë tjetër e mburri, por në thelb të gjithëve iu foli për plehrat, për mbetjet, për fondet që duhet të përcaktojnë për pastrimin e qyteteve, por edhe të rrugëve e në tërësi të mjedisit.

Duke e parë lidhur me interesin qytetar, shqetësimi i Kryeministrit është i vonuar, sepse masakra mjedisore dhe dyndja e plehrave jo vetëm rrugëve të qyteteve tona është një rutinë tashmë.

Por, duke e gjetur ngushëllimin në shprehjen “më mirë vonë se kurrë”, le të shpresojmë të ndodhë ndonjë çudi e pas mbledhja të mund të reflektojë realisht ndryshimin e pritur.

Mirëpo me gjasë, takimi i Kryeministrit me kryetarët e bashkive për problemin e plehrave synonte që t’u jepte edhe një përgjigje zërave të opozitës, e cila iu është rikthyer sërish inceneratorëve apo thënë ndryshe, impianteve të përpunimit dhe të djegies së plehrave, duke i kërkuar SPAK-ut hetimin e aferave korruptive me inceneratorët, siç shprehet opozita.

Rastet kur korrupsioni me plehrat bën bashkë politikën, plehrat dhe paratë nuk është vetëm një dukuri shqiptare.

Prej SHBA-së e nëpër Evropë deri në Romë, në dhjetëra raste është dëshmuar se ky trinom, pra trinomi politikë, plehra, para vjen e shfaqet në trajtën e një sistemi korruptiv.

Po në Shqipëri si është e vërteta e këtij fenomeni?

Jo vetëm opozita e madje me më shumë zë dhe forcë se ajo, organizimet qytetare, organizatat që mbrojnë mjedisin veçanërisht por edhe forume intelektuale dhe akademike, kanë ngritur zërin për afera korruptive edhe në trajtimin e mbetjeve e të plehrave.

Janë bërë edhe denoncime publike dhe ligjore, janë organizuar protesta dhe konferenca, por reagimi i institucioneve të zbatimit të ligjit ka munguar, qoftë edhe për të thënë që zhurma është e kotë.

Tani në skenë ka dalë edhe SPAK-u, struktura e posaçme antikorrupsion, ku më shumë se një herë janë depozituar padi për korrupsionin me inceneratorët, pra me impiantet e djegies dhe përpunimit të plehrave.

Padia e fundit është bërë para disa ditësh nga ana e LSI-së, ndërkohë që të tjera padi presin se çfarë do të thotë SPAK-u.

Por, ndërsa presim përgjigjen e SPAK-ut, inceneratorët, dhënësit e koncesioneve e marrësit e tyre vazhdojnë të dëshmojnë se raportet POLITIKË - PLEHRA - PARA janë funksionale dhe jetike për korrupsionin, për sa kohë pandëshkueshmëria është kthyer në institucion e plehrat digjen duke mbuluar ne tym e rrethuar në flakë jo bashkitë e kryetarëve të maxhorancës, të cilëve jo rastësisht Kryeministri zgjodhi t’iu flasë për plehrat para disa ditëve.

EMISIONET