Rama: Në bregdet nuk ka paga më të ulëta se në Greqi e Kroaci, sfida është mungesa e stafit të kualifikuar!

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e 3-të Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, foli mbi debatin për tregun e punës në sektorin e turizmit, duke deklaruar se problemi i biznesit në bregdet nuk lidhet më me nivelin e pagave, por me mungesën e punonjësve të kualifikuar.

Sipas Ramës, në zonat turistike ku janë bërë investime serioze dhe ku aktiviteti zhvillohet në mënyrë formale, pagat kanë arritur nivele konkurruese me vendet e rajonit, madje në shumë raste janë më të larta se ato që ofrohen në Greqi dhe Kroaci për pozicione të ngjashme pune.

Kreu i qeverisë theksoi se sfida kryesore për bizneset e hotelerisë dhe turizmit është gjetja e stafit me aftësitë dhe përgatitjen e nevojshme profesionale. Sipas tij, operatorët turistikë janë në kërkim të vazhdueshëm të punonjësve të kualifikuar në të gjitha nivelet e shërbimit, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore po bëhet një nga pengesat më të mëdha për sektorin.

Deklarata vjen në një kohë kur diskutohet gjerësisht për punësimin e shtetasve të huaj nga vende aziatike për të plotësuar nevojat e tregut. Megjithatë, Rama argumenton se problemi nuk qëndron te mungesa e fondeve për paga, por te mungesa e profesionistëve që mund t’u përgjigjen kërkesave në rritje të industrisë së turizmit.

Kjo situatë po ngre pikëpyetje të reja mbi formimin profesional dhe aftësinë e tregut vendas për të furnizuar një sektor që po zgjerohet me ritme të shpejta dhe që po kërkon gjithnjë e më shumë punonjës të specializuar.

Edi Rama: Dhe vijmë tek Pakistani edhe tek Bangladeshi. Punonjësit. Sot, dhe unë këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe sfidoj këdo që të provojë të kundërtën. Sot, problemi kryesor i industrisë së turizmit nuk është sa të paguajë.

Dhe nuk ka në industrinë e turizmit sot, aty natyrisht flas ku janë bërë investime, aty ku janë hotelet edhe destinacionet e pushimeve, pyetja nuk është sa të paguajë. Pyetja është ku të gjejë punonjësit, përkatës për të gjitha nivelet që ka edhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet.

Dhe nëse ndokush më gjen një vend në bregdetin shqiptar, flas gjithmonë për investimet që janë bërë, nuk flas për situata që mund të jenë në gjysmë informale, flas për hoteleri, ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë unë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk ka. Nuk gjendet një vend në bregdetin shqiptar ku, sipas niveleve, paga të jetë më e ulët se në Greqi. Nuk ka një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët se në Kroaci. Nuk ka.

EMISIONET