Dy shqiptarë "peng" në kampin Al Hol, refuzojnë të riatdhesohen

A ka grupe shqiptarësh që refuzojnë të largohen nga kampet ISIS në Siri dhe të kthehen në vendin tonë?

Kryeministri Edi Rama thotë se janë raste sporadike.  Ndonëse u tregua i rezervuar zbuloi se deri tani njihen 2 persona të cilët refuzojnë të largohen nga kampet ISIS në Siri pasi janë pengje atje.

“Në dijeninë tonë janë dy persona që janë identifikuar por nuk kanë bërë hapin për tu paraqitur.

Janë pengje brenda kampeve, nuk shkëputen dot se kanë frikë, pasi në momentin e shkëputjes mund tu marrin jetën” tha Rama në konferencën me gazetarët pas riatdhesimit të 5 grave dhe 14 fëmijëve shqiptarë sot paradite në aeroportin e Rinasit.

Kreu i antiterrorist Gledis Nano thotë se pjesa më e madhe e atyre që nuk janë riatdhesuar ende janë në kampin Al Hol

“Nuk janë aspak bashkëpunues dhe i fshihen strukturave të sigurisë në momentin që ata hyjnë në kamp për ti ndihmuar që ata të kthehen në vendin e tyre“ tha Nano në një prononcim për median sot pas zbritjes në aeroportin e Rinasit të avionit me 5 gra dhe 14 fëmijë që u riatdhesuan nga kampi Roxh (Roj)

A janë të vështira këto operacione?

“Vështirësitë janë dhe vazhdojnë të jenë pasi ISIS ka ende prezencë në terren. Këta familjarë, fëmijë e gra nuk lejohen të riatdhesohen pasi duhet të qëndrojnë aty sipas ideologjisë radikale e ekstremiste që kanë grupet ekstremiste” tha Nano.

Po me bashkëshortët e zonjave të riatdhesuara çfarë ndodh?

“Jemi duke punuar në atë drejtim. Disa nga personat e identifikuar ndodhen në burg në zonën e Sirisë verilindore. Një pjesë janë larguar dhe fshehur në terren. Një pjesë kanë humbur jetën gjatë luftimeve" tha Nano.

EMISIONET