Droga drejt Turqisë me kamion, arrestohet dhe 33 vjeçari nga Durrësi
Arrestohet 33 vjeçari i shpallur në kërkim për tentativën e trafikut të 101 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis drejt Turqisë
Në kuadër të operacionit “Restart 11” është arrestuar Edison Koçi, 33 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj, Durrës
Ndaj 33 vjeçarit të identifikuar si Edison Koçi nga fshati Xhafzotaj, Durrës u firmos një urdhër ndalim nga Gjykata e Shkallës së Parë Korçë më 4 gusht 2022. Pikërisht një ditë pasi në pikën kufitare të Kapshticës ishte ndaluar shoferi dhe punonjësi i kompanisë private ushqimore me qendër në Tiranë e cila kishte kamionin ku u gjet e fshehur lënda narkotike.
Droga u gjet e fshehur në shufra plastike në rimorkion e kamionit pasi policia kishte grumbulluar informacion se nëpërmjet Greqisë, me një mjet të tonazhit të rëndë, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike dhe nisi operacionin.
Ndaj tij u ngrit akuza“Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku u ndaluan shtetasit Mico Rexhepis 58 vjeç, banues në Tiranë dhe Arben Marku 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, "të cilët me mjetin tip kamion të markës “Scania”, tentuan të trafikonin në drejtim të Turqisë, 101 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale” informoi sot (5 gusht) policia e Korçës.
Më 3 gusht 2022 u njoftua arrestimi i Arben Markut punonjës i kompanisë dhe Mico Rexhepis shoferi i kompanisë do të kryente transportin e sasisë, në drejtim të Turqisë.
Me arrestimin e 33 vjeçarit shkon në 26 numri i të ndaluarve gjatë njëmbëdhjetë fazave të operacionit “Restart”.