Djali i dajës së Ymer Markut, fitoi e shiti tek “Alko Impex” 10.800 m2 tokë në Bërxullë
Teka ish-kreu i komunës Bërxullë Ymer Marku dhe dy ish-drejtuesit e tjerë të këtij institucioni Kujtim Balliu dhe Agim Loci, pritet të dalin sot para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë “arrest me burg”, prokuroria ka zbuluar një tjetër kontratë shitje që ka ngjallur mjaft dyshime.
Bëhet fjalë për një sipërfaqe toke prej 10.800 m2, ku protagonistë janë njerëz të afërm të familjes së Ymer Markut dhe sigurisht Arbër Abazi i kompanisë “Alko Impex”, pronari real i së cilës është deputeti i PS, Sadri Abazi.
Prokuroria e Tiranës po heton mbi bazën e dyshimeve të forta se sipërfaqja e tokës është përfituar me dokumente të falsifikuara dhe më pas është regjistruar në emër të Tahir Cenës nga Kukësi, i cili rezulton të jetë djali i dajës së ish-kryekomunarit Ymer Marku.
Tahir Cena e ka regjistruar këtë sipërfaqe toke në emër të vet dhe gruas së tij, Fidarie Cena. Por nuk ka kaluar shumë ditë nga ky regjistrim, dhe çifti Cena, kushërinj shumë të afërt të Ymer Markut vendosin t’ia shesin këtë pasuri nipit të deputetit të PS, Sadri Abazit, shtetasit Arbër Abazi që është dhe administratori i kompanisë “Alko Impex”.
Vlera në kontratën e shitjes është vetëm 43 milionë lekë të vjetra, transaksion që mund tê jetë edhe fiktiv. Mbi tokën që dyshohet se është pjesë e një skeme grabitje dhe korrupsioni, Arbër Abazi po ndërton kapanone për biznes.
Ndërtimet janë kundërshtuar me forcë nga banorët e zonës, të cilët pretendojnë se Arbër Abazi dhe zyrtarë të ish-komunës Bërxullë dhe biznesmenë të tjerë u kanë grabitur tokat.
Ky është një rast në hetim nga prokuroria e Tiranës, veç episodit të parë të tjetërsimit të 7500 m2, të blerë sërish nga Arbër Abazi kundrejt vlerës prej vetëm 100 milion lekë të vjetra.