Dixhitalizimi i arkivave, së shpejti Kadastra me mbështetjen e BE fillon edhe dixhitalizimin e hartave

Dixhitalizimi i arkivave, së shpejti Kadastra me mbështetjen e BE

Këto ditë përfaqësuesit e Delegacionit të BE në Tiranë, Hubert Perr, Drejtor i Bashkëpunimit dhe Peter Danis, Menaxher i Projektit BE për të Drejtat e Pronësisë, vizituan Qendrën e Kadastrës Dixhitale në ASHK.

Në këtë vizitë ata u mirëpritën nga Drejtori i Përgjithshëm i ASHK z. Artan Lame.

Përfaqësuesit e Delegacionit të BE u njohën nga afër me proceset e punës që realizohen në këtë Qendër, në mënyrë të veçantë me procesin e dixhitalizimit dhe skanimit të dokumentacionit dhe arkivit të pasurive të paluajtshme, proces i cili po zbatohet nga Kadastra Shqiptare me financim të Qeverisë Shqiptare.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian nëpërmjet Projektit “BE për te Drejtat e Pronësisë”, i financuar nga fondet IPA, është angazhuar për financimin e procesit të skanimit të hartave kadastrale të pasurive të paluajtshme.

Të dy këto procese komplementare do të realizojnë dixhitalizimin e plotë të të dhënave kadastrale mbi pasuritë e paluajtshme, duke i hapur rrugë përmirësimit sistematik dhe korrigjimit të gabimeve dhe mangësive mbi këto të dhëna të trashëguara ndër vite, që ndikojnë direkt si në cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve ashtu dhe në zhvillimin e tregut të pasurive të paluajtshme.

Nga ana e tij Lame theksoi se “përfundimi i këtyre dy projekteve do të pajisë më së fundi Shqipërinë me një Bankë Pronash të dixhitalizuar dhe për rrjedhojë të shpejtë të saktë dhe të sigurt”.

Të dyja këto projekte së bashku, parashikojnë dixhitalizimin dhe skanimin e e rreth 50 milion dokumentave dhe rreth 90.000 planshetave hartografike, që mbulojnë të gjithë territorin e Republikës.

EMISIONET