Dita e pestë e protestës në Korçë/ Qytetarët: Shqipëria po zbrazet dhe askush nuk po mban përgjegjësi

Dita e pestë e protestës në Korçë/ Qytetarët:

Protesta qytetare në Korçë ka vijuar për të pestën ditë radhazi. Të mbledhur në zonën këmbësore të qytetit, protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me situatën ekonomike, emigracionin, sistemin shëndetësor dhe politikat që, sipas tyre, po ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve. Një prej protestuesve tha se qytetarët duhet të reagojnë përballë padrejtësive dhe solli në vëmendje vështirësitë që hasin familjet shqiptare për të siguruar trajtim mjekësor për të afërmit e tyre.

Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim! … Shteti ynë gjynahqar nuk kishte lekë që ky fëmijë të kurohej në Shqipëri. Një muaj të tërë është vërtitur në Tiranë dhe nuk ka gjetur zgjidhje. U detyrua dhe shkoi në Greqi me lekë borxh. Fatmirësisht, shteti grek i hoqi të gjitha, një më një, dhe nuk ka paguar as edhe një qindarkë. Edhe sot shteti ynë nuk gjen lekë që t’i japë atij fëmije, asaj nëne, që të rrijë dhe të kujdeset për djalin e saj. Sepse ju duhen paratë për të ngritur vila, për të rrjepur gjithë këtë popull. Është për t’u çuditur dhe fatkeqësi e madhe. Vërtet turp”, tha protestuesi.

Në protestë foli edhe një emigrant i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ngriti shqetësimin për largimin masiv të shqiptarëve dhe boshatisjen e qyteteve.

Do më akuzoni se kam lënë atdheun, jetoj në Amerikë, pardje erdha. Nga Rinasi në protestë. Sa herë vij në Korçë dëgjoj të njëjtën përgjigje: kanë ikur, kanë ikur, kanë ikur. Ore, po ku po shkojnë shqiptarët? Kush po i përzë shqiptarët? Se asnjëri nuk ikën nga dëshira. Mbaroi koha e të gjithëve, është koha e rinisë. Ka shumë njerëz të shkolluar në diasporë që duan t’i sjellin fëmijët këtu, por ku t’i sjellin? Kush e mban mend Korçën dikur, kur qyteti gumëzhinte nga njerëzit? Shiko sa pak kemi mbetur. Sot Shqipëria po trajtohet si plaçkë dhe qytetarët nuk marrin llogari për atë që ndodh me pronat dhe të ardhmen e tyre”, u shpreh emigranti.

Ndërkohë, një tjetër protestuese tha se qytetarët duhet të bashkohen përtej ndarjeve politike dhe të fokusohen tek problemet reale të vendit.

Liria nuk ka ardhur akoma. Në qoftë se do të vijë, do të jetë kjo protestë e madhe e qytetit që do ta sjellë lirinë. Në kohën e komunizmit na vunë armiqtë e klasës dhe në kohën e demokracisë na vunë të majtët dhe të djathtët. Po ç’na duhet neve të majtët apo të djathtët? Ne na duhet Shqipëria! Një përkrahje të madhe dua për pastorin, i cili po del atje kundër hormoneve. Pjesa më e madhe e familjeve kanë një të sëmurë dhe njerëzit përballen me probleme të shumta. Ne nuk jemi popull që të tallemi. Ne jemi një popull dinjitoz. Korça ka nxjerrë plot patriotë”, tha emigrantja.

Qytetarët kanë bërë thirrje për vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, ndërsa kërkojnë më shumë vëmendje ndaj problematikave sociale, ekonomike dhe demografike që, sipas tyre, po ndikojnë në jetën e përditshme të banorëve të qytetit dhe të gjithë vendit.

EMISIONET