Dhuna në PD, reagojnë ambasadorët: Ulni tensionet!
Ndërkombëtarët kanë reaguar për protestën e kësaj të shtune në selinë e Partisë Demokratike. Edhe pse i paralajmëruar për një protestë paqësore situata ka precipituar në dhunë ndaj protestuesve, thyerje dritaresh dhe dyersh, gjë që është dënuar me forcë nga ambasadorët e akredituar në Tiranë. SHBA garanton se ata që nxisin dhunë ose minojnë sundimin e ligjit do të mbajnë përgjegjësi.
Situata e krijuar këtë të shtunë në selinë e Partisë Demokratike ka shqetësuar edhe faktorin ndërkombëtar. Selitë kryesore në Tiranë kanë dënuar dhunën në protestën e demokratëve kundër kryetarit të tyre Lulzim Basha.
Për situatën e krijuar në Partinë Demokratike ka reaguar fillimisht ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim. Përmes rrjeteve sociale, Kim ka paralajmëruar se ata që nxisin dhunë ose minojnë sundimin e ligjit do të mbajnë përgjegjësi.
Delegacioni i Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje të gjithë protestuesve të përfshirë të ruajnë qetësi dhe ka dënuar aktet e dhunës.
Ambasadori Zingraf deklaroi se në politikën demokratike nuk ka vend për dhunë.
Gjithashtu ambasadori Britanik, Alastir King Smith ka shprehur shqetësimin për përdorimin e dhunës nga ana e protestuesve në selinë e Partisë Demokratike.
Smith është shprehur se çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike dhe ligjore, në interes të popullit shqiptar dhe jo interesave të ngushta individuale.
Protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha ditën e shtunë ka patur pjesëmarrje masive të qytetarëve dhe ende nuk dihet se cili do të jetë reagimi i kryetarit Basha dhe vendimi që ai do të marrë përballë kësaj situate.