Revolta kundër hartës gjyqësore, avokatët e Korçës bojkotojnë masat e sigurisë më 24-25 qershor

Revolta kundër hartës së re gjyqësore nuk ndalet. Avokatët e Korçës kanë vendosur të përshkallëzojnë protestën ashtu siç kanë bërë kolegët në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.

Krahas gjyqeve në të gjitha shkallet, mbrojtësit ligjore në juglindje do të bojkojnë edhe masat e sigurisë për dy ditë.

"Ata të cilët do të shoqërohen në polici në datat 24-25 apo do të sielln në gjykatë nuk do tu ofrohet mbrojtje me avokatë. Listat e gatishmërisë të avokatëve janë të pavlefshme për caktimin e avokatëve kryesisht."

Vendimi erdhi në një takim ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia.

"Kjo është një betejë, ky është një qëndrim që nuk ka të bëjë fare me aspektin politik por ka të bëjë me interesin, xhepin dhe jetën e çdo familje."

Protestës së avokatëve kundër shkrirjes së gjykatës së Kurbinit iu bashkuan edhe qytetarët.

"Kishën e Shna Ndout nuk na e kanë hequr akoma."

Kërkuan rishikimin e vendimit që prek të paktën 90 mijë banorë.

"Do të rrisë kriminalitetin, vetëgjyqësinë, do të ulë drejtësinë e dhënë për qytetarët."

Pjesë e protestës ishin edhe deputetët e PD-së, Kastriot Piroli dhe Elda Hoti.

"E kuptoj dëshirën e kësaj mazhorance për ti kthyer në fshatra të braktisur disa qytete të Shqipërisë."

Në të gjitha gjykatat në Shkodër, e Vlorë për të dytën ditë nuk u zhvillua asnjë masë sigurie, ndërsa bojkoti i gjyqeve tashmë është në javën e dytë.

Qytetarët ankohen se skema aktuale krijon zvarritje, ndërsa e reja u shton kostot për të kërkuar drejtësi.

"Është për të ardhur keq. Presim për më mirë, po zhytemi thellë."

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Administrative dhe 1 Gjykatë Apeli.

Drafti i KLGJ-së pritet të kalojë për miratim në Qeveri.

EMISIONET