DETAJET E REJA nga zhdukja e Eglant Koçit/ Enea Zyferi punonte si kamarier në lokalin e rrëmbyesit, dyshohet se e …
Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, teksa policia sot ka arrestuar një person dhe shpallur në kërkim një tjetër.
I arrestuari Enea Zyferi ishte i punësuar si kamerier në lokalin e të shpallurit në kërkim si autor, Armand Shaka.
Ai dyshohet të ketë ndihmuar atë dhe të ketë qenë prezent kur 34 vjeçari Koçi është mbajtur peng.

Fotoja i perket pamjeve te fundit ku shfaqet Eglant Koçi, 34-vjeçari që u shpall i humbur zyrtarisht.
Në pamjet e kamerave të sigurisë, shfaqet Koçi me motorin e tij, në datën 4 qershor, kur edhe ai u pa për herë të fundit, teksa ndodhet në parkimin e një pallati.
Për zhdukjen e tij është shpallur në kërkim shtetasi Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet për rrëmbimin e Koçit.
Njoftimi:
Tiranë/Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.
Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.
Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.
Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.
Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit. Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.



