“Ndalo se e vrave!” Dëshmitë tronditëse të babait të 7-vjeçares e pushuesve: Tase erdhi me shpejtësi skëterre e goditi Jonadën
Zbardhet dëshmia që, Bledar Avdia, babai i Jonadës 7-vjeçare që u vra në Potam nga polici Arjan Tase, ka dhënë lidhur me tragjedinë e 2 gushtit 2022 në plazhin e Potamit në Himarë.
Bledari po lahej me vajzën e tij pranë bregut kur Arjan Tase i cili ishte në skaf i ka shkaktuar vdekjen vogëlushes 7 vjeçare.
Nga dëshmia rezulton se familja Avdia, bashkë me të afërm të tyre një ditë para ngjarjes ishin akomoduar për pushime verore në një hotel që ndodhet në Potam.
Dëshmia e babait, Bledar Avdia
Mëngjesin e datës 02.08.2022 ka dalë në plazh së bashku me familjarët e tij.
Rreth orës 14.00 minuta Bledar Avdia shpjegon se ndërsa ka qenë duke u larë bashkë me vajzën ne afërsi e bregut, ka parë një skaf me ngjyrë të bardhë, me dy persona në bord, që ka ardhur në bregun e plazhit dhe ka parë se nga bordi i mjetit kanë zbritur dy burra, një grua dhe dy fëmijë që kanë hipur në skaf.
Bledar Avdia shpjegon se shoferi i mjetit lundrues, pasi ka kaluar litarin me piketa, ka shkuar në drejtim të tyre dhe është futur me një shpejtësi skëterrë duke përçarë atë dhe vajzën, për ta marrë kthesën, ka goditur me motorët vajzën e tij, duke i shkaktuar prerje në gjithë trupin.
Ai ka bërtitur dhe ka parë që drejtuesi është nisur të largohej, por është kthyer, ka ndaluar skafin dhe ka ardhur në breg.
Dëshmia e Emiliano Zeqirllarri
Ndërkohë shtetasi Emiliano Zeqirllarri që është i afërm i familjes Avdia u shpreh se rreth mesditës, shtetasi Bledar Avdia bashkë me vajzën Jonida po laheshin e breg te detit dhe në një moment Emiliano ka parë ardhjen e një mjeti lundrues të madh ne disa persona në bord. Në kohën që mjeti lundrues ka marrë njerëz në breg dhe është futur përsëri në det Emiliano shpjegon se mjeti lundrues ka goditur të miturën me helikat e motorëve.
Bledari dhe njerëzit që ishin në breg të detit kanë filluar bërtasin “Ndalo se e vrave”, ndërsa mjeti lundrues ka vijuar të ecë pa dhënë asnjë ndihmë. Ne këtë kohe Emiliano ka hyrë në det dhe e ka nxjerrë të miturën pa shenjë jete.
Dëshmia e Silvana Malaj
Ndërkaq, Silvana Malaj (pushuese) ka pohuar se orës 14.00 ka qenë në det bashkë me bashkëshortin dhe po dilnin nga uji. Ajo ka parë se pas tyre ndodhej një skaf që po rrotullohej dhe gjendej në afërsi të bregut.
Bashkëshorti i ka kërkuar që të lajmëronte policinë për të larguar skafin dhe ndërkohë që do dilte nga uji, kjo shtetase shpjegon se ka dëgjuar njerëzit që po bërtisnin dhe pasi ka kthyer kokën ka parë skafin e ngritur në mënyrë vertikale dhe aty tregon se situata ka dalë nga kontrolli.
Më pas ka parë goditjen që i ndodhi vajzës së vogël nga skafi dhe babi vajzës bërtiste që të ndalej.
Ngjarja e rëndë nodhi në datë 02.08.2022 rreth orës 14.00 minuta, në plazhin Potans- Himarë, ku i arrestuari Arian Tase, ndërsa drejtonte mjetin lundrues tip gomone, e emërtuar NNA 154 dhe MARGO”, te pajisur me dy motorë të jashtëm, me kapakë me ngjyrë të bardhë, me shënimet “Racing 300” ka goditur me helikat e motorëve dhe i ka shkaktuar vdekjen, shtetases së mitur që ndodhej në afërsi të bregut të detit duke u larë, Jonada Avdia.
Ngjarja ka ndodhur në një zonë bregdetare që është kategorikisht e ndaluar për lejimin kalimin e mjeteve lundruese dhe "demtimet e konstatuara në trupin e viktimës krijojnë dyshimin e arsyeshëm se i arrestuari ka qenë duke drejtuar mjetin lundrues me shpejtësi të larte" thuhet në dokumentin e prokurorisë
Pse vrasje me dashje indirekte
Prokuroria ka argumentuar pse ndaj Arjan Tases duhet të rëndojë akuza e vrasjes me dashje indirekte dhe jo vrasje nga pakujdesi, parashikuar nga neni 85 i Kodit Penal, vepër penale për të cilën u arrestua fillimisht.
"Vepra penale e vrasjes nga pakujdesia është një vepër penale që kryhet me faj, në formën e pakujdesisë që shfaqet në formën e vetëbesimit të tepruar ose të neglizhencës. Personi e kryen veprën penale me pakujdesi kur ai parashikon mundësinë e ardhjes së pasojave, nuk i deshiron ato dhe me mendjelehtësi shpreson që ti shmangë pasojat ose kur nuk parashikon pasojat por nisur nga rrethanat duhet dhe kishte mundesi ti parashikonte.
Ne situaten e ndodhur, vdekja e të miturës ka ndodhur në një zonë që është kategorikisht e ndaluar për lejimin kalimin e mjeteve lundruese sheta Arian Tase, me detyrë punonjës i policisë së shtetit, që ka objekt të punës të tij zbatimin e ligjit (dhe pse ditën e ngjarjes rezulton të ketë qenë me leje vjetore) ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Ai e ka parashikuar që lundrimi me mjet lundrues pikërisht në jë zonë detare të ndaluar për të hyrë, në një zonë ku qanësisht evidentohen fëmijë, të rritur, & moshuar që janë duke pushuar dhe u argëtuar sjell pasojë në jetën dhe shendetin e tyre, duke qenë në dijeni se në një hark kohor relativisht të shkurtër kanë ndodhur të tilla raste tashmë të njohura dhe mediatikisht), dhe pse nuk e ka dëshiruar ardhjen e pasojë pra vdekjen e shtetases së mitur, me veprimet e kryera, ai me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës.
Dashje indirekte ose e tërthortë si një nga format e fajësisë nënkupton që personi parashikon që nga veprimi tij mund të vijnë pasoja të kunderligishme, këto pasoja nuk dëshirohen prej tij, por me vetëdije dhe ndërgjegje lejohet ardhja e pasojave. Në këtë kuptim veprimet e të arrestuarit Arian Tase do te cilësohen sipas nenit 76 të Kodit Penal si vrasje e kryer në formën e dashjes indirekte të tërthortë"
Arjan Tase akuzohet për “Vrasjes, të kryer në formën e dashjes indirekte e parashikuar nga neni 76 Kodit Penal. Gjykata e Vlorës i dha sot masën e sigurisë "arrest me burg".