Dëshmia në SPAK, shkak i konfliktit? Avokatët e 46 vjeçarit që plagosi Fredi Kokoneshin zbulojnë motivin
Një çështje në hetim nga SPAK, për korrupsion dhe abuzime me tenderat ndaj kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, mund të jetë shkaku i konfliktit me ish vartësin e Orgest Xhelili që e plagosi me thikë. Hetimet i zbuluan avokatët e 46 vjeçarit që u la sot në burg nga gjykata e Lushnjes për sulmin ndaj të zgjedhurit vendor dhe shoferit të tij.
Dëshmia për një hetim të Strukturës së Posaçme Anti korrupsion, SPAK, është një nga arsyet e debateve mes Orgest Xhelilit dhe kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi, sipas avokatëve të 46 vjeçarit që plagosi me thikë të zgjedhurin vendor dhe shoferin e tij më datë 11 Nëntor.
Një rast i korrupsionit në qytetin e Divjakës. Është thirrur si person në cilësinë e një personi që ka dijeni për ngjarjen
Edhe babai i 46 vjecarit që më herët ka punuar si inxhinier IT pranë Bashkisë Divjakë, nga ku ishte pushuar, konfirmoi se i biri ishte marrë në pyetje, për një çështje për të cilën nuk dha më shumë detaje.
Gjykata e Lushnjes ndërkohë la në burg Orgest Xhelilin me akuzat “tentativë vrasje ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të ngritura nga prokuroria.
Avokatët e 46 vjeçarit, nga ana tjetër ngritën akuza për policinë bashkiake të Divjakës dhe kryebashkiakun Kokoneshi, që sipas tyre është nën hetim.
"Kemi të bëjmë me fenomenin e bajraktarëve. I shohim të personalizuar në funksione publike. Kryebashkiaku po hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Lushnjës për veprime arbitrare"
Abas Xhelili, po ashtu rrëzoi pretendimet për sulm me motive politike, ndërsa theksoi se i biri është provokuar.
"Unë jam familje dëshmori. Ai ka pasur probleme me Fredin, po tek djali im e gjeti?!"
Kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi vijon të trajtohet në Spitalin e Traumës për sulmin me thikë, ndërsa shoferi I tij Gazmend Bullari që u plagos duke e shpëtuar ndodhet në Spitalin e Lushnjes.