Covid-i në universitete, tre ullinj në kujtim të dy pedagogeve dhe studentes së Ekonomikut


Rektori i Universitetit të Tiranës është shprehur se vaksinimi i studentëve dhe pedagogëve nuk duhej bërë me detyrim, pasi ata duhej të jepnin të parët shembullin e mbrojtjes nga Covid. Deklarata u bë gjatë ceremonisë përkujtuese për dy pedagogë dhe një student të Fakultetit Ekonomik që humbën jetën nga koronavirusi.

Në sallën e Fakultetit Ekonomik ku dikur zhvillonin seminare dhe leksione, u përkujtuan dy pedagogë dhe një studente që humbën jetën nga Covidi.

Kujtimet për Vjollca Karapicin, Irena Bogdanin dhe Euxhena Jorgjin, përlotën të gjithë të pranishmit në sallë.

Covid-i në universitete, tre ullinj në kujtim të dy pedagogeve

I ati i studentes Euxhena Jorgji, tregoi se vajza e tij mori librat me vete në spital me shpresën se do tu kthehej mësimeve.

"Edhe kur ndërroi jetë shkoi me libër te koka, paçka se ishte për tjetër drejtim ajo lexonte dhe literaturën artistike."

Përmes dhimbjes për humbjen e kolegeve të tyre, Ingrid Shuli dhe Julian Naqellari, nuk lanë pa përmendur rëndësinë e mbrojtjes nga koronavirusi.

"Ky armik i pabesë është ende midis nesh, është ende në shoqëri por tashmë më i dobët pasi është shtuar kujdesi."

"Të gjithë këto fjalë të mira që ato plotësisht i meritonin, a kemi mundur t'ua themi sa ishin këtu?"

Rektori i Universiteti të Tiranës, Artan Hoxha, tha se nuk duhej që vaksinimi të ishte bërë me detyrim për pedagogët dhe studentët, pasi këto kategori duhet të ishin të parat që të jepnin shembull.

"Ne jemi njerëzit e shkencës, ne besojmë në shkencë. Nëse ne nuk besojmë në shkencë kush do të besojë tjetër?!"

Jashtë ambienteve të Fakulteti të Ekonomikut, u mbollën tre ullinj për të kujtuar gjithmonë ato që Dekani i Fakultetit i konsideroi anëtare të familjes së madhe.

Pranë Fakultetit të Ekonomikut është vendosur pika e vaksinimit për të gjithë studentët dhe pedagogët që duan të marrin dozën anti-Covid, ndërkohë rreth 90 përqind e pedagogëve i janë nënshtruar këtij procesi deri tani.

EMISIONET