Bylykbashi “kundër” Bashës: Interesi publik dhe ai i PD-së është sistem i ri zgjedhor, jo ai që ka Rama sot

I ftuar në RTV Ora, deputeti demokrat Oerd Bylykbashi u shpreh se janë qëndrimet e tij politike që kanë bërë që të mos jetë më në krye të punëve zgjedhore për PD-në.

Bylykbashi theksoi se ai ka bërë negociata dhe marrëveshje me Ramën dhe kam dalë me sukses në llogari të PD-së, por theksoi se PD-ja ka paguar çmimin e djegies së mandateve.

Bylykbashi: Janë qëndrimet e mia ato që kanë sjellë që unë të mos jem më në krye të çështjeve zgjedhore të PD-së. Është një indikator i vogël, që çdo reformë zgjedhore është e thënë që duhet ta drejtoj unë. Eksperiencën 25-vjeçare në raport me reformat zgjedhore mua nuk ma heq njeri. Unë kontributin tim ia kam dhënë partisë sime. Pastaj i uroj sukses reformës zgjedhorë. Nga ana tjetër marrëveshja e 5 qershorit ishte  e suksesshme për aq kohë sa ishte, sepse kemi shkuar me një dorë të lidhur pas, pasi kishim djegur mandatet.

Unë kam bërë negociata dhe marrëveshje me Ramën dhe kam dalë me sukses në llogari të PD-së. Në ato kohë kur mandatohesha nga Berisha piketat ishim më të qarta. Në negociata na është bërë e qartë nga ndërkombëtarët se duhet të paguanim çmimin për djegien e mandateve. Në atë marrëveshje numërimi ishte shumë i pastër. Kemi një proces që ka funksionuar mirë, por jashtë procesit zgjedhore ka ndodhur presioni, blerja e votës dhe përdorja e fondeve qeveritare.

Bylykbashi shtoi se interesi madhor publik dhe i opozitës është një sistem i ri zgjedhor, jo rikthimi te sistemi i vjetër sikurse është deklamuar publikisht nga lidershipi i PD-së.

Bylykbashi: Unë gjykoj që interesi madhor publik dhe i opozitës është një sistem i ri zgjedhor, jo rikthimi te sistemi i vjetër sikurse është deklamuar publikisht nga lidershipi i PD-së. Sistemi i vjetër tashmë ka vdekur. Propozimi që bën PD-ja që unë nuk e kam firmosur, sepse nuk ka kuptim, është rikonfirmimi i sistemit që ka sot Edi Rama; me proporcional rajonal me lista të hapura, me koalicion partish politike. Pse duhet të propozojmë atë që ai sot e ka? Ose ta bëjmë diçka mirë ose ta bëjmë fare. Duhet ndryshuar sistemi zgjedhor. Duhen rregulla që shteti të mos ndërhyjë në zgjedhje. Kemi nevojë për një reformë të re territoriale dhe ndoshta jo për komuna sikurse propozon PD-ja.

EMISIONET