Burgjet, pa mjekë e të pisët/ Avokati i Popullit konstaton mungesat në qelitë shqiptare
Inspektimet e avokatit të popullit në sistemin e burgjeve kanë zbuluar problematikën e mungesës së mjekëve në këto institucione. Tjetër shqetësim është dhe higjena, pasi nuk u gjetën produkte të pastrimit
Mungesa e mjekëve në burgje është kthyer në një problematikë shqetësuese.
Avokati i Popullit në raportin e vitit 2022 shprehet se nuk përmbushet numri i bluzave të bardha për ti dhënë shërbimin e duhur të dënuarve apo dhe të paraburgosurve.
Madje është konstatuar se në një pjesë të madhe janë angazhuar mjekë me kohë të pjesshme, për një periudhë prej 4 orësh në ditë.
Dhe jo vetëm kaq, ambientet në dispozicion për vizitat mungojnë dhe I njëjti konkluzion jepet dhe për mjetet që duhen të kenë doktorët.
Për këtë arsye, në disa burgje nuk janë kryer konsultat e nevojshme, ekzaminime apo edhe analiza laboratorike.
Gjithashtu, pothuajse në të gjitha ambientet e burgjeve në rang vendi nuk funksiononin pajisjet e sistemit të ngrohjes.
Kjo për shkak të defekteve teknike, ose të mungesës së karburantit.
Produkteve bazë të higjenës apo të pastrimit të qelive u konstatuan në mungesë në disa prej institucioneve të inspektuarat.
Ndërkaq, të burgosurit i mbanin rrobat e tyre në qese plastike ose në thaës poshtë shtretërve pasi nuk ishin pajisur me një dollap ose raft.
Sipas inspektimeve, problematikat më të madhe u hasën në IEVP-në Fushë-Krujë, Lezhë dhe Durrës.