Bulqizë/ Magazinonte lëndë plasëse dhe i shiste, arrestohet pronari i një subjekti minerar
Një tjetër rast i tregtimit të lëndëve plasëse në qytetin e Bulqizës.
Policia ka bërë me dije se ka nisur procedimi penal për pronarin e një subjekti minerar, shtetasin G.Ç., 55 vjeç, pasi akuzohet se magazinonte lëndë plasëse dhe i shiste.
Magazinonte lëndë plasëse me qëllim për përdorim vetjak, por më pas e tregtonte (shiste) në 9 subjekte të tjera, Policia nis procedimin penal për pronarin e një subjekti minerar.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në përmbushje të objektivave të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e informalitetit, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në inteligjencën policore se një subjekt në mënyrë të paligjshme tregtonte (shiste), lëndë plasëse në disa subjekte të tjera minerare, kanë organizuar punën me qëllim verifikimin, parandalimin e mëtejshëm dhe goditjen e kësaj paligjshmërie.
Si rezultat, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” për shtetasin G.Ç., 55 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas, në Thekën Martanesh, pasi magazinonte në depon e tij, sasi me lëndë plasëse me qëllim për përdorim vetiak, më pas në mënyrë të paligjshme dhe pa autorizim përkatës nga Komisariati i Policisë, e tregtonte (shiste) lëndën plasëse në 9 subjekte të tjera, duke u mjaftuar vetëm me një akt-marrëveshje të lidhura mes palëve (subjekteve).