Brahaj: Nuk kemi investitorë strategjikë të huaj, të njëjtët që marrin koncesionet dhe leje ndërtimi
E ftuar në Ora News, drejtuesja e Open Data Aranita Brahaj foli lidhur me investimet strategjike dhe dritëhijet që ka kjo skemë e veçantë e qeverisë.
Ajo shtoi se janë disa vendime të këshillit të ministrave dhe pronat zakonisht janë dhënë në Tiranë, Sarandë, dhe në juglindje të vendit.
Brahaj: Momenti i parë ka të bëjë me ligjin e investitorëve strategjikë që ka pasur kontestime sepse ky legjislacion i hershëm, është përdorur për t’i dhënë status edhe kompanive që kanë qenë të zbehta në investimet e tyre, por më pas u janë dhënë lehtësira dhe për të rritur biznesin e tyre. Procesi ka nisur me bazën ligjore që është shtyrë në afat, ndërsa pasi është marrë statusi i investitorit janë ndihmuar me skemën Shqipëria 1 euro.
Shumica e pronave që u janë dhënë privatëve janë prona të ushtrisë. Janë disa vendime të këshillit të ministrave dhe pronat zakonisht janë dhënë në Tiranë, Sarandë, dhe në juglindje të vendit. Kemi listuar të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave dhe kompanitë që kanë përfituar dhe çfarë janë angazhuar ata. Janë 7 kompani për këto prona që kemi publikuar ne. Janë kompani që njihen dhe nuk kemi investitorë strategjikë të huaj. Janë të njëjtat kompani që fitojnë edhe koncesionet e leje ndërtimi.