Borë e akull por të gjitha rrugët në Shkodër janë të hapura, asnjë emergjencë
Vendi është ende nën ndikimin e të ftohtit të acartë, ku në Vermosh të Shkodrës, temperaturat zbritën deri në 20 gradë nën zero. Pavarësisht borës e akullit, të gjitha rrugët janë të hapura dhe nuk ka emergjenca.
Edhe pse në Vermosh termometri shënoi rekodin -20 gradë, të gjitha akset rrugore nacionale e rurale në qarkun Shkoder, për herë të parë pas 30 vitesh janë të hapura.
Megjithatë kujdesi duhet treguar maksimal kur lëviz për në Qafë Thore – Theth, drejt Kelmendit apo Malit të Shoshit, kjo për shkak të ngricave në rrugë.
"Mbetet shqetësuese përdorimi i këtyre mjeteve në këto segmente për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricave. Sot ka shkuar në -20 Gradë në Kelmend, -17 Gradë në Qafë Thore."
Probleme ka rruga e Prekalit, atje ku ka patur rrëshqitje gurësh.
Familjet që jetojnë në këto zona fatmirësisht nuk kanë paraqitur emergjenca shëndetësore këto ditë.
Për nevojat ushqimore, janë administratorët që paraqesin listat në komisionin e emergjencave civile.
"Herë pas here kemi deleguar detyra të dërgojmë nevojat minimale për familjet në nevojë në këtë periudhë, sidomos kur izolohen nga debora."
Java nisi me temperatura të uleta, ngrica e reshje dëbore që fatmirësisht nuk krijuan probleme të mëdha, me përjashtim të ndërprerjeve të energjisë elektrike, si pasojë e defekteve.