Protesta "tremb" Bordin, nafta zbret në 235 lekë për litër, benzina 227, nuk ndryshon gazi

Ende pa u mbushur 24 orë nga mbledhja e fundit, Bordi i Transparencës, ka vendosur që të ndryshojë sërish çmimin e karburanteve në vendin tonë. Pak orë para protestës së opozitës Bordi vendosi që nafta të shitet me 235 lekë, nga 243 që u vendos një ditë më parë. Benzina do të shitet me 227 Lekë për litër nga 241 lekë për litër, ndërsa gazi me 81 lekë/litri.

Vetëm pak orë para grumbullimit të qytetarëve në dyert e Kryeministrisë në shenjë revolte kundër keqmenaxhimit të situatës së krijuar me çmimet e të gjitha produkteve në vend, Bordi i Transparencës, i cili që prej marsit vijon të mblidhet në mënyrë jotransparente, ka vendosur të bëjë uljen e dytë të çmimeve të karburanteve në vend brenda 24 orëve të fundit.

Së fundmi Bordi ka vendosur që çmimi i shitjes me pakicë i naftës të jetë jo më shumë se 235 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 223 lekë/litër.

Në datën 6 korrik, nafta tregtohej me 243 lekë për litër. Ndërsa të hënën, Bordi e rriti çmimin me 9 lekë për litër, duke e çuar në 252 lekë/litër.

Sipas vendimit të fundit të Bordit, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzene do të jetë jo më shumë se 227 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 215 lekë/litër.

Më parë, benzina tregtohej me 229 lekë për liter. Ndërsa  çmimi i shitjes me pakicë i gazit të lëngshëm, do vazhdojë të tregtohet me të njëjtin çmim prej 81 lekë/litri i shitjes me pakicë, dhe i shitjes me shumicë përfshi këtu dhe atë për automjetet do të jetë 69 Lekë /litri.

Që prej fillimit të muajit mars, kur nafta filloi të rritej me shpejtësi në tregun e brendshëm, për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria krijoi Bordin e Transparencës, që vendos periodikisht çmimet e shumicës dhe të pakicës të naftës, benzinës dhe gazit, sipas një formule që merr për bazë çmimet e blerjes në bursa, taksat, kostot operative dhe një marzh fitimi.

Por gjatë kësaj kohe ka rezultuar se fiksimi i çmimeve nga Bordi vetëm sa ka qenë në dëm si të kompanive, ashtu dhe të konsumatorëve, teksa u ka dhënë operatorëve më pak mundësi atyre të blejnë me eficiencë, duke bërë që çmimet e fiksuara të jenë realisht më të larta sesa do të ishin nëse tregu do të lihej i lirë.

Sipas këtyre vlerësimeve, çmimi i naftës sot do të ishte 10-12 lekë më pak për një litër.

EMISIONET