"Boll me na ftuan, nuk na ftuan", Rama i përgjigjet Kosovës për mungesën e ftesës për Forumin e Shkupit

Kryeministri Edi Rama përsëriti edhe njëherë nga Shkupi se nismës "Ballkani i hapur" janë të ftuar ti bashkangjiten  të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Kosovën.

I përditësuar me lajmet e fundit, ku qeveria e Kosovës pretendoi se nuk ka pasur ftesë zyrtare, Rama tha se duhet ti jepet fund refrenit " na ftuan, s'na ftuan."

Rama: Në 1 janar të 2023 do të kemi mes vendeve tona zero sekonda pritje në kufi, të tjerët janë të mirëseardhur të na bashkangjiten. Nëse vijnë askush nuk i pengon, boll me këtë "na ftuan, nuk na ftuan". Ishim në Tiranë të 6 vendet për të diskutuar dhe aty diferenca ishte e qartë, disa duan, disa nuk duan. Nuk ka problem. Por ajo që thashë aty e përsëris këtu, autostradat, hekurudhat, lëvizja e lirë e mallrave mbase nuk janë e njëjta gjë me demokracinë por demokraci dhe liri pa këto është shumë e vështirë të kesh dhe ta kesh të pakërcënuar. Politika më e mirë është bashkëpunimi, afrimi, ekonomia dhe rinia.

Rama tha se  mes tij, Vuçiç dhe Zaev  ka një dakordësi që kjo nismë të jetë  gjithëpërfshirëse, e hapur dhe e lirë për të gjitha vendet.

Rama:Të tre ne e kemi thënë e stërthënë jo vetëm me gojë por edhe në deklaratat tona që kjo nismë nuk është përjashtuese por gjithëpërfshirëse, e hapur dhe e lirë për të gjitha vendet që të veprojnë sipas interesit dhe logjikës së tyre. Shqipëria do ta bëjë këtë proces me të gjithë kur dhe si të jetë e mundur. Nga ana tjetër nuk ka për ne asnjë problem nëse dikush tjetër nuk do ta bëjë apo do ta bëjë pjesërisht. Ne duam që komunitetet e vendeve tona qofshin qytetarë apo komunitete biznesi të kenë një hapësirë lirie europiane brenda rajonit tonë dhe nuk ka asnjë problem për këtë.

Sipas tij, Vuçiç dhe Serbia kanë bërë një kapërcim galopant në këtë drejtim me Kosovën dhe sipas tij qeveria e Prishtinës duhet të kuptojë se kjo shkon përtej dialogut mes dy shteteve që vijon në Bruksel.

Rama: Meqë pyetja ishte për Kosovën, Serbia dhe presidenti i Serbisë kanë bërë një ekstramilje duke pranuar që nisma të jetë jo vetëm gjithëpërfshirëse por të shkojë përtej procesit të Berlinit kur vjen fjala për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Në këtë aspekt nuk ka asnjë shoqëri në këtë territor që të jetë e diskriminuar, nuk ka asnjë qytetar në këtë territor që të jetë diskriminuar.

Përtej çështjes së hapur mes Serbisë dhe Kosovës, u thotë popujve, individëve dhe bizneseve që ju jeni të barabartë përtej faktit që në nivelin shtetëror dhe institucional ka një çështje që është ende e hapur dhe është në rrugën e trajtimit me dialogun e vështirë mes dy vendeve. Ky është një oportunitet kolosal për të gjithë shoqëritë tona, është një potencial i madh dhe nuk kemi jo luksin, por nuk kemi të drejtë si udhëheqës që ta mbajmë këtë potencial të pazhvilluar.

Nuk kemi të drejtë ti privojmë shoqëritë tona, vendet tona nga rritja e drejtëpërdrejtë ekonomike që nuk e themi ne, nuk e thonë ekspertët e ministrave të Financave në Beograd, Tiranë apo Shkup, por organizmat globale financiare, e thotë BB, hyni në këtë proces dhe do të keni rritje të ekonomisë dhe GDP, si mund ti themi jo, për çfarë arsye? Nëse del dikush edhe thotë në këtë nisëm ja ku është e keqja, konspiracioni dhe e fshehta, por me fakte, atëherë unë kërkoj falje. Por këtu nuk ka asnjë të fshehtë, asnjë të keqe, asnjë konspiracion, është një nismë që i flet të ardhmes dhe që komunikon për të ardhmen.

Sa më shumë të komunikojmë për të ardhmen aq më shumë do të kemi lehtësi për të trajtuar të shkuarën. E shkuara nuk mund të mbajë peng popujt, jemi gati që këto marrëveshje ti bëjmë me të gjithë. Pa hyrë në këtë proces kemi bërë ligjin për ti trajtuar qytetarët e rajonit të barabartë me qytetarët e BE kur vjen puna te lejet e qëndrimit dhe lejet e punës. Është absurde që në vendet tona qytetarët e BE si qytetarë të dorës së parë dhe qytetarët e vendeve fqinje si qytetarë të dorës së dytë. Është nonsens.

I pyetur nëse marrëveshjet e nënshkruara sot në Shkup do të mund të zbatohen edhe me Kosovën dhe pse ajo nuk ka pranuar të jetë pjesë e nismës, Rama u përgjigj:

Rama: Nisma e të treve ne do të jetë inclusive për të gjithë ato pjesë që nuk kanë lidhje me vullnetin e qeverive. Nuk do ti ndajmë të rinjtë, të rinj të dorës së parë dhe të rinj të dorës së dytë nëse vjen fjala për lëvizjen universitare apo shkollore olimpike, mundësitë për të bashkëpunuar për kulturën, kinematografinë etj, por ne nuk mund do të vendosim për qeveritë e tjera kur vjen fjala për marrëveshjen e lëvizjes së lirë të mallrave.

Për ta bërë dhe me të prekshme rëndësinë e marrëveshje të nënshkruara sot, Rama risolli në vëmendje tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Shqipëri.

Rama: Kur ra tërmeti në Shqipëri ishin forcat e kërkim-shpëtimit nga vendet e rajonit që mbërritën me shpejtësi dhe mes tyre ishin dhe forcat e  kërkim-shpëtimit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Ne kuptuam në atë moment tragjik se sa e rëndësishme ishte të mos ndiheshe vetëm dhe sa e vlefshme ishte që në një terren të shkatërruar ku kishte qindra jetë njerëzish nën gërmadha të kishe më shumë forca. Sot ne kemi firmosur një marrëveshje për të qenë bashkë në çdo rast ku larg qoftë cilido nga vendet tona përballet me forcat e natyrës.

Më thoni çfarë të keqe do të kishte për Kosovën, Malin e Zi, Bosnjën që të bashkoheshin në këtë nismë që hap rrugën që forcat tona të emergjencave të ndërveprojnë sëbashku, të stërviten sëbashku hera-herës, të kenë një sistem të përbashkët alarmi dhe bashkarisht të gjenden aty ku duhet për të ndihmuar. Apo në rastin kur për shkak të gjithë ndryshimeve klimatike apo për shkak të veprimeve kriminale sipërfaqe të tëra pyjesh digjen, ku është e keqja që helikopterët e vendeve tona të gjenden aty të gjithë bashkë, forcat e specializuara për shuarjen e zjarreve të jenë aty të gjithë bashkë. Ky është shpirti i kësaj nisme.

Dy memorandume dhe një marrëveshje

Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiç, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshja parasheh ndërtimin e "korsive të shpejta" në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.

Marrëveshja e Bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe iniciativën për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes dhe shpëtimit nga katastrofat.

Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka mbledhur shumë se 300 kompani nga këto tre vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane, por edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve dhe shoqatave ndërkombëtare.

Shumica e kompanive janë nga sektori i ndërtimtarisë, agro-ushqimit, energjisë, makinerisë, industrisë së automobilave, tekstilit, turizmit, programimit, telekomunikacionit, transportit e fushave tjera. Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni ku janë shkëmbyer pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik

EMISIONET