Biznesmeni i ndërtimit Gëzim Ceka merret i pandehur, akuzohet se mashtroi një familje, nuk i dha 3 apartamente

Biznesmeni i ndërtimit Gëzim Ceka merret i pandehur, akuzohet se

Një biznesmen ndërtimi në Tiranë, është marrë i pandehur nga prokuroria e kryeqytetit, pasi ka mashtruar anëtarët e një familje, me ndarjen e apartamenteve, të një pallati që ndodhet në rrugën “Islam Alla”.

Akuza e mashtrimit me pasoja të rënda, është ngritur për ndërtuesin, Gëzim Ceka.

Ndërsa bashkë i pandehur në këtë çështje penale është marrë dhe Pëllumb Berberi, një person që prokuroria ka ngritur akuza e “Falsifikimit të dokumenteve”, pasi ka blerë një apartament tjetër, duke përdorur planimetrinë e apartamentit të familjes Pasmaçiu.

Dosja në fjalë është hetuar nga prokurori Bledar Maksuti dhe pas largimit të tij nga “Vettingu”, çështjen e ka marrë një prokuror tjetër, i cili ka konkluduar me dërgimin në gjyq të dy personave të mësipërm.

Aktualisht çështja është në tavolinën e gjykimit të gjyqtarit, Gerd Hoxha, i cili pritet të çelë gjykimin në muajin shtator 2021. Sipas dosjes hetimore, në vitin vitin 2002, Gëzim Ceka, administrator i shoqërisë “Alba Flor”, ka kontaktuar dhe kërkonte që në truallin e familjes Pasmaçiu, të ndërtohej një pallat shumë katësh.

Për këtë arsye kanë lidhur një akt-marrëveshje, të parë në vitin 2002 nga e cila është rënë dakord që familja e Bashkim Pasmaçiut, të jepte për ndërtimin e pallatit të dy pronat 120 m2 dhe 130m2, në këmbim të 25 për qind, të volumit të përgjithshëm të pallatit, që do të ndërtohej dhe me zbardhjen e lejes së ndërtimit do të lidhesh kontrata e sipërmarrjes.

Nga e cila do të përcaktonte pjesët takuese që do të shkëmbeheshin. Shoqëria "Alba Flor" në periudhën kur u afrua për të ndërtuar pallatin u vu menjëherë në dijeni, se cilat pasuri ishin të familjes Pasmaçiu dhe cilat pasuri ishin shitur, Lefter Maliqit dhe Flamur Celsulës.

Në muajin janar 2003 është lidhur një akt-marrëveshje e dytë, e cila përcaktonte se Bashkim Pasmaçiu, do t'i vinte në dispozicion vetëm pasurinë 120 m2 në këmbim të 450 m2 ndërtim dhe për periudhën e ndërtimit të pallatit shoqëria "Alba Flor", do merrte përsipër të paguante edhe qiranë e shtëpisë në vlerën 60,000 lekë të rinj në muaj.

Rezulton se në datën 25 prill 2003, palët kanë lidhur kontratën e sipërmarrjes me shoqërinë "Alba Flor", ku janë përcaktuar me detaje pronat që do të shkëmbeheshin.

Konkretisht familja Pasmaçiu, do t'i jepte sipërfaqen prej 120 m2 truall dhe 98 m2 ndërtim për kate në shkëmbim të 450 m2 ndërtim.

Dhe marrëveshja ishte bërë për 3 apartamente, 1 dyqan 70 m2 dhe 1 garazh). Me lidhjen e kontratës se sipërmarrjes shoqëria "Alba Flor" në muajin Maj 2003 shembi banesën 3 kate me sip. 98m2 të Bashkim Pasmaçiut, dhe bëri gati sheshin për ndërtimin e pallatit.

Një pjesë të vogël të kësaj ndërtese e la të pa prishur dhe e shfrytëzoi për ambiente zyrash. Qëllimi tjetër i tij ishte të mos dëmtonte edhe banesën 2+1 kate të pronës me sip.130 m2, pasi ajo pronë nuk është pjesë e kontratës së sipërmarrjes.

Në vijim të ndërtimit të pallatit, nga ana e familjes Pasmaçiu, janë ndjekur rregullisht punimet për apartamentet, deri në qeshor 2005.

Periudhë kur shoqëria e ndërtimit nisi të mos paguante më qerasë e shtëpisë 60.000 lekë në muaj dhe për këtë gjë, ata i janë drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, me një padi.

Kohë më vonë familja Pasmaçiu, ka kuptuar se 3 apartamentet e tyre nuk janë dorëzuar nga biznesmeni Gëzim Ceka, por u janë shitur personave të tjerë.

Për pasojë kjo familje, megjithëse ka vënë në dispozicion tokën, nuk ka marrë sot e kësaj dite shtëpinë.

EMISIONET