Berisha akuzon Kim: U bën thirrje gazetarëve të censurojnë Foltoren dhe mua, shkelje e rëndë

Në bashkëbisedimin online me shqiptarët e Amerikës, ish-kryeministri Sali Berisha rezervoi edhe dy fjalë për përfaqësuesen e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim.

Teksa nënvizoi dy momente të papranueshme të sjelljes së saj si diplomate, Berisha tha se Kim i lejon shpesh vetes të bëjë sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste.

"Dy fjalë për zonjën ambasadore që shpesh i lejon vetes të bëjë sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste. Dy momente për mua janë të papranueshme. Përgëzimin që ju bëri zgjedhjeve në kundërshtim e çdo kod, rregull dhe qëndrim ndaj votës së lirë ndaj SHBA.

Së dyti, thirrja që u bën gazetarëve për të vendosur censurë ndaj Foltores dhe Sali Berishës për mua përbën një shkelje të rëndë të Kushtetutës amerikane e cila garanton më mirë se çdo Kushtetutë e botës lirinë e shprehjes dhe të fjalës.

Këto momente jo që nuk janë amerikane, jo që nuk përfaqësojnë SHBA por mbretërinë e censurës, Soros dhe interesat e tij. Megjithatë asgjë nuk lëkund respektin tonë për vendin e madh të lirisë. Jam i bindur se PD në pushtet do të ndërtojë marrëdhëniet miqësore më të shkëlqyera me vendin ku ju jetoni".

 

EMISIONET