Benzi i blinduar zbuloi në “SKY” Haton, e solli nga Kroacia, por pronar bëri Azem Shimën. Ora News publikoi foton kur e bllokoi policia në 2021
Identifikimi në aplikacionin “Sky” i Eljo Hatos, njeriut të besuar të biznesmenit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, është bërë vetëm përmes një foto automjeti tip “Benz-Mercedes” të blinduar që Hato, po e sillte nga Kroacia në Shqipëri për zhduganuar dhe më pas përdorur atë.
Mjeti ndodhej ende në Kroaci kur përdoruesi numerik i “SKY” me kodin TFQL4R, i dërgon disa foto përdoruesit tjetër të benzin të blinduar të hipur në një kamion “Bizar”, që po transportohej në drejt pikës së kalimit të Hanit të Hotit.
Ky që shihni në foto të siguruar ekskluzivisht nga “Ora News”, është Benzi i blinduar i hipur në kamion tip “bizar” që Eljo Hato, e priste pas dy ditësh në Shqipëri.
Por për përdoruesin e kodit TFQL4R, prokuroria e posaçme SPAK ende nuk kishte asnjë informacion se cili ishte pritësi i makinës dhe njeriu që kishte porositur mjetin e blinduar nga Shqipëria.
“TFQL4R” i shkruan në mesnatën e 6 Mars 2021 përdoruesit tjetër “2Q4RSM” që më vonë rezultoi të ishte Bardhyl Bajri, se makina është ende në Kroaci dhe për një ditë, në datën 7 Mars vjen në pikën e doganës Hani-Hotit.
Dy vite para se SPAK te konkretizonte hetimin e operacionit “Metamorfoza”, në datën 12 Maj 2021, gazetari i “Ora News” Elton Qyno ka publikuar foton e “Benzit” të blinduar me targa ruse që u bllokua për disa orë nga policia e Tiranës.
Ky që shihni në këtë foto është “Benz-Mercedez” i bllokuar në muajin Maj 2021. Ndërsa në foton tjetër e njëjta makinë ndodhet në muajin Mars 2021 në kamionin “Bizar” që sapo kishte kaluar Kroacinë dhe po vinte në Shqipëri.
Pikërisht në muajin Maj 2021, në policinë e Tiranës janë shoqëruar drejtuesi i mjetit Eljo Hato dhe pasagjeri Bardhyl Mavraj, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë liruar sërish.
Lajmi i publikuar në “Ora News” ka ndihmuar strukturat e hetimit të bëjnë krahasimin e fotove të zbuluara në aplikacionin “Sky” me foton e publikuar në “Ora News”, dy vitë më parë se të kryhej operacioni “Metamorfoza”.
Ndërkohë përmes fotove dhe dokumenteve të sekuestruara në policinë e Tiranës, që bëjnë fjalë për shoqërimin për disa orë të Eljo Hatos dhe Bardhyl Mavraj, është zbuluar plotësisht se përdoruesi i kodit “TFQL4R”, është Eljo Hato.
Në rregjistrin e mjeteve të bllokuara pranë policisë së Tiranës, ka rezultuar se në datën 10 Maj 2021 është bllokuar një mjet i blinduar “Mercedes-Benz”, me të cilin udhëtonin Eljo Hato dhe Bardhyl Mavraj.
Ky mjet i është dorëzuar më pas personit që rezulton pronari në letra i quajtur Azem Shimaj. Shimaj administron një kompani private në Perash të Shkodrës të quajtur “Genoi”, e cila tregton armë gjahu dhe artikuj sportivë.
Por lidhur me këtë automjet të bllokuar Eljo Hato është gjobitur nga policia me 820 mijë lekë të vjetra, pasi qarkullonte me automjet të blinduar pa autorizim.
Gjoba është prerë ndaj drejtuesit të mjetit Eljo Hato, ndërsa pronari i makinës ishte Azem Shima, lindur dhe banues në Shkodër. Pas pagimit të gjobës disa kohë më vonë makina e blinduar është nxjerrë dhe nga policia e Tiranës.

