Begaj në Itali: Marrëveshja për sigurimet shoqërore, shumë shpejt efektive
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj, filloi sot një vizitë zyrtare dyditore në Itali, ku u prit me nderime të veçanta nga Presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella.
Kjo është vizita e parë e Presidentit Begaj në një prej vendeve të Evropës Perëndimore, por edhe një konfirmim i një dialogu shumë të mirë politik e në nivelet më të larta midis dy vendeve.
Pas ceremonive të rastit, Presidenti Begaj dhe Presidenti Mattarella zhvilluan një bisedë kokë më kokë e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.
Gjatë takimit të zgjeruar midis dy delegacioneve, Presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.
Begaj shprehu mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet.
Presidenti shprehu ngushëllimet për jetët e humbura dhe keqardhje për dëmet e mëdha të përmbytjeve gjatë ditëve të fundit në rajonin e Emilia Romagna-s, si dhe e siguroi Presidentin Mattarella për solidaritetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve me popullin italian në këto momente.
Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit vlerësoi rolin dhe mbështetjen e Italisë pas ndryshimeve demokratike mbi tri dekada më parë.
Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëdimensionale ekonomiko-sociale përmes programeve të zhvillimit e ndihmës, si dhe pritjen e afro gjysmë milioni emigrantësh shqiptarë në Itali, Presidenti Begaj nënvizoi se këto ngjarje i kanë bërë edhe më të forta marrëdhëniet ndërnjerëzore e ndërshtetërore midis dy vendeve.
Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ekonomike e tregtare, dhe duke iu referuar Italisë si partneri kryesor e i privilegjuar tregtar dhe si një prej donatorëve kryesorë për Shqipërinë, nënvizoi se mundësitë janë edhe më të mëdha në këtë drejtim.
Prania në rritje e sipërmarrësve italianë në Shqipëri dhe interesi për investime në sektorët strategjikë apo në projekte madhore rajonale si Gazsjellësi TAP e Korridori 8, janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim, por që duhen promovuar edhe më shumë.
Një mirënjohje të veçantë, Presidenti Begaj e shprehu për mbështetjen e vyer që Italia i ka dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit të këtij procesi.
Duke u ndalur te roli e te kontributi i arbëreshëve dhe i komunitetit të ri shqiptar në Itali, Kreu i Shtetit vlerësoi se falë mbështetjes e solidaritetit shtetëror, si dhe falë mikpritjes italiane ata janë më së miri të integruar në jetën sociale, ekonomike, por edhe politike italiane, duke mos u ndjerë kurrë të kërcënuar për t’u asimiluar.
Të dy presidentët ranë dakord të mbështesin iniciativat e përbashkëta shtetërore në ruajtjen dhe në promovimin e këtyre vlerave të përbashkëta, të cilat qëndrojnë në themel të miqësisë së sprovuar midis dy popujve.