BE heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut

BE heq kufizimet e udhëtimit për Shqipërinë, Serbinë

Në fundjavë Bashkimi Europian pritet të miratojë zyrtarisht heqjen e kufizimeve në udhëtimet për shtetasit nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia prej situatës së mirë me Covidin-19. Kriteret për lëvizjen do të lehtësohen por vendet anëtare mundet ende të aplikojnë kërkesën për tamponin negativ ose izolimin disaditor.

Qytetarët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk do të kenë më kufizime kur të udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ambasadorët e 27 vendeve vlerësuan të mërkurën se tri shtetet ballkanike e kanë nën kontroll situatën epidemiologjike ndaj edhe konsiderohen vende të sigurta.

Vendimi mbetet jodetyrues pasi secili vend i BE-së mund të vazhdojë të kërkojë një tampon negativ ose karantinim të personave të huaj.

Statusin "vend i sigurt" e përfitojnë ato shtete që kanë jo më shumë se 75 infektime me Covid-19 për 100,000 banorë, brenda një afati dyjavor.

Të dhënat tregojnë se për rastin e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, ky tregues është disafish më i ulët, nën 20 raste për 100 mijë banorë, dhe pak më i lartë por brenda normës në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi.

Në muajin maj, Këshilli i BE-së hoqi kufizimet në udhëtime për shtetasit e huaj të cilët kanë bërë të gjitha dozat e vaksinës kundër koronavirusit.

Me vendimin e fundit, Bashkimi Europian ka lehtësuar edhe lëvizjet me SHBA-në, Libanin dhe Tajvanin, ndërsa është rekomanduar heqja e kufizimeve për tetë shtete të tjera, mes tyre Australia, Japonia dhe Koreja e Jugut.

EMISIONET