Basha: Qëllimi ynë ishte të shmangnim gjakderdhjen, kërkova që drejtësia të vërë para përgjegjësisë Berishën

Lulzim Basha, një prononcim për mediat pas daljes nga prokuroria është shprehur se më datë 8 janar, kur u zhvillua protesta para selisë blu, qëllimi i vetëm i tyre ishte që të shmangnin gjakderdhje.

Basha ka falënderuar të gjithë demokratët nuk iu bindën skenarit të Berishës,që sipas tij do të përfundonte në viktima.

Lulzim Basha: Ne kishim një qëllim, të shmangnim me çdo kusht atë që po kërkohej me çdo kusht, gjakderdhjen. Dua të falenderoj të gjithë ato zonja midis tyre dhe gra shtatzëna dhe zotërinj, dhe demokratë që nuk iu bindën skenarit ogurzi që orkestroi Sali Berisha për përplasje mes demokratëve më 8 janar, që padiskutim do përfundonte me viktima.

Basha thotë se gënjeshtrat e Berishës, kanë nisur prej datës 9 shtator, ndërsa shton se preferon që të shkuarën ta lërë mbrapa.

Lulzim Basha: Gënjeshtrat e Berishës, kanë nisur prej datës 9 shtator. Unë preferoj ta lë të shkuarën mbrapa dhe të ju them shqiptarëve që ata që na kanë mbajtur për 30 vite në vend numëro, ata që e kanë mbajtur Shqipërinë për 30 vite si plaçka, do mund t’I largojmë  duke u bërë të gjithë bashkë, jo vetëm rreth një sigle por rreth vlerave.

Basha është shprehur se i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë të gjithë në lidhje me 8 janarin, duke nisur që nga Sali Berisha.

Lulzim Basha: Kam kërkuar hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të kësaj ngjarje. Ishte një organizim i vetëdijshëm, i planifikuar i një tentative vrasje mes demokratëve, për interesa të ngushta personale, me autorë një grup të strukturuar kriminal. Këto janë interesa të një personi. Kam kërkuar hetimin e gjithsecilit nga i pari tek i fundit. Kam kërkuar që drejtësia të vërë para përgjegjësisë nga Sali Berisha deri tek i fundit.

EMISIONET