Basha: Nuk jam më i hapur ndaj personit non grata, PD ka marrë masa tu tregojë vendin agresorëve

"Nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë".

Vetëm pak orë pasi Sali Berisha dha deklaratën e tij në selinë blu, Lulzim Basha, përmes një deklarate për mediat kërkoi dhe një herë nga mbështetësit ti qëndrojnë larg skenarëve për destabilizim.

"PD ka marrë masa të përballet dhe tu tregojë vendin me fuqinë e ligjit agresorëve që nuk kanë asnjë lidhje me PD dhe misionin e saj. Shqipëria nuk mund të turpërohet duke prodhuar një ngjarje të shëmtuar antiamerikane në selinë e PD-së dhe as demokratët nuk ja kanë borxh Sali Berishës kundërvënien përballë njëri tjetrit që ai nxit dhe provokon prej dëshpërimit të tij. PD nuk mund ta mbajë e nuk ka për ta mbajtur këtë turp.

Demokratëve, mbështetësve të mi, mbështetësve të forumeve të PD-së, kritikëve të mi, kundërshtarëve dhe rivalëve të mi ju them të qëndrojmë të bashkuar përballë regjimit të Edi Ramës, përballë skenarëve të dhunës e shkatërrimit të PD-së. Dua të përsëris se ndërsa nuk jam më i hapur për asgjë ndaj personit të shpallur non grata, që ka venë hallin e tij, mbi interesat e demokratëve dhe të Shqipërisë, jam i gatshëm të dëgjoj dhe po dëgjoj, po reflektoj e do të vazhdoj të reflektoj me qëndrime e vendime demokratike ndaj kritikave, kundërshtimeve, kërkesave dhe propozimeve që forcojnë bashkimin tonë në diversitet, që shërbejnë për modernizimin e Partisë Demokratike dhe fitoren e saj. Kjo është e ardhmja që demokratët kanë zgjedhur, kjo do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike!"

Madje ai theksoi se Kuvendi i 18 dhjetorit mori vendimet e duhura si dhe vendimi për largimin e Berishës nga grupi ishte zgjedhja e duhur.

"Ne e kthyem në standart se ata që shpallen non grata nga SHBA nuk mund të zgjidhen në funksione drejtuese në PD".

Vendimet e SHBA për shpalljet non grata, sipas Bashës po ngrihen si stuhi në betejën ndaj korrupsionit në rajon.

"Sali Berisha ka mashtruar dhe ka dashur t’ju bëjë për budallenj me sajesat dhe trillimet e tij qesharake rreth arsyeve përse është  shpallur non grata nga SHBA,  në një kohë kur motivacioni ka qenë dhe është i qartë  për çdokënd që nuk ka dëshirë të  gënjehet. Sali  Berisha   ka mashtruar  me perpjekjet  e tij të vazhdueshme për tua mbajtur të  fshehtë procedurën e shpalljes non grata që merr kohë dhe përfshin një disa insituticione e agjenci  ligjzbatuese në shtetin më të fuqishëm të botës, që nga Departamanti i Shtetit, te Departamenti i Drejtësisë, Departamenti i Thesarit, dhe agjensitë e Sigurisë Kombëtare dhe ligjzbatimit". 

Po ashtu Basha thekson se ka marrë përgjegjësitë e tij mbi vendimet por se shton se Berisha nuk mund të vetëpërjashtohet prej tyre.

"Sali Berisha është treguar gënjeshtar me ju duke e perjashtuar veten e tij nga vendimarrjet me të rendësishme të PD-së gjatë tetë viteve tona në opozitë, në një kohë kur ai ka qene pjese e vendimarrjes madje edhe duke i paraprirë me deklarata mediatike, dhe me protagonizmnin e tij rivalizues me institucionet e zgjedhura te PD. Unë kam pranuar përgjegjësitë e mia për ketë situatë, por Sali Berisha nuk mund të bëjë sikur ka qenë në ndonjë ishull prej nga u kthye pas tetë vjetësh".

Basha theksoi dhe një herë se beteja është më mazhorancën e çdo veprim tjetër bëhet për të sjellë kaos.

"Berisha e nisi si beteje per statutin, por tregoi se ishte nje mashtrim si gjithcka tjeter qe prej 9 shtatorit. Ai shkeli statutin, manipuloi firmetarët per kuvendin, manipuloi me mitingun, manipuloi me pseudo referendumin. Sepse ai do kaos dhe dhune, ai nuk njeh as statut as institucione, sepse ai do PD vetem si mburoje per hallin e tij te madh".

EMISIONET